Reperi i njohur shqiptar, Arkimed Lushaj apo siç njihet “Stresi”, teksa ndodhet në kërkim nga Policia për protestën e ndodhur të mërkurën mbrëma, ka lëshuar një kërkesë të fortë. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Lushaj ka lëshuar një ultimatum për të tjerë zyrtarë të Policisë së Shtetit. Sipas tij, tashmë ultimatumi është për Ardi Veliun.
“Jam rebel i lindur. Përgjegjësi mban Ardi Veliu, Lleshi ka ik për tenderimin e uniformave, Ardi Veliu deri të dielën ultimatium, o do digjet Tirana. 72 orë, të dielën në darkë do digjet Tirana do ikim dhe në Surrel po deshët, kujdes Ardi Veliu. 72 orë ultimatum ose pyete Fatmir Xhafën. Të dielen 00:00, do digjen karburantët. S’jam as me PD as me LSI-në, jam me drejtësinë, por drejtësi nuk ka”, shkruan Lushaj në një postim në rrjete sociale.
Kujtojmë që Policia e Tiranës e ka shpallur në kërkim për protestën e së mërkurës dhe njoftuan se mbi këngëtarin rëndojnë akuzat për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “kundershtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “prishje e qetësisë publike”, “shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.



