Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës tregojnë linjën që ndoqi procedura për miratimin e koncesionit, por trajtojnë me standarde të ndryshme përgjegjësitë, të paktën deri në këto momente, pasi hetimi është ende i hapur. Hetimet që zgjatën më shumë se 3 vjet nuk kanë gjetur dhe kthyer asnjë para të përfituar në mënyrë abuzive nga dyshja Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, por dhe zyrtarë të lartë.
Enigma më e madhe në hetimin e inceneratorëve janë paratë: gjurmimi dhe kthimi i tyre. Në 38 muaj hetime, SPAK nuk është në gjendje të thotë se ku kanë shkuar 70 milion euro për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit dhe mbi 100 milion euro të paguara për kontratën e Tiranës nga shteti dhe kompanitë private.
Të ardhurat e inceneratorit të Tiranës për 30 vjet parashikohen të jenë 331 milion euro, ndërsa investimi privat 128 milion euro, vlerë që duhet të financohej dhe të përfundonte veprën brenda 6 vitesh.
Sot inceneratori duhet të kishte përfunduar, por aty nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Kontrata u bë në partneritet publik -privat për shkak të emergjencës mjedisore që kishte qyteti i Tiranës dhe për shkak të pamundësisë financiare të buxhetit të shtetit për të ndërtuar vetë inceneratorin. U gjet një kompani private që do të investonte paratë dhe kthimin e investimit do e bëntë gradualisht duke vjelë të ardhura çdo vit nga tarifa e depozitimit të mbetjeve. E gjitha rezultoi një skemë mashtrimi. Paratë nuk u investuan, u morën nga kompania dhe inceneratori nuk u bë. Shteti ka paguar deri tani 60 milion euro dhe kompanitë private të depozitimit të dherave mbi 40 milion euro.
Ideja për të mashtruar ka qënë që në fillim thonë hetimet e SPAK. Megjithatë nga koha e nisjes së hetimeve dhe deri në vendimin për sekuestrimin e inceneratorit, Bashkia e Tiranës ka paguar 34 milion euro për kontratën e inceneratorit.
Këto para po vazhdojnë të jepen dhe sot, ndërsa përfituesit janë kompanitë nënkontraktore të Integrated Energy, të cilat sipas këshilltarëve Bashkiakë të Partisë së Lirisë po shkojnë në xhepat e firmave të lidhura me dyshen Zoto-Mërtiri dhe që kanë lidhje me nivele të larta në bashkinë Tiranë.
Këtë vit bashkia po paguan 10 milion euro për një vepër korruptive, një pjesë e parave dyshohen se po jepen nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore që mbledh njësia vendore Tiranë. Për vitin e ardhshëm projektohet të jepen 13 milion euro për kompaninë e sekuestruar Integrated Energy.
Po si ka ndodhur mashtrimi?! Prokuroria ka zbuluar në kompjuterin e Klodian Zotos mënyrën se si ai bashkë me Mirel Mërtirin frynë kostot e investimeve që do të bënin nga 102 në 128 milion euro. Kjo është verifikuar nga disa emaile që Zoto i ka dërguar kompanive Paul Ëurth dhe Energy Recuperator.
“Të nderuar zotërinj, bashkëngjitur është plani real i biznesit dhe jo ai që i kemi dërguar shtetit. Me respekt, Klodian Zoto.” citohet në dosjen e SPAK në një email që ka dërguar Zoto.
Në disa preventivë që dërgonte Zoto, ktheheshin pas nga Mërtiri i cili rishikonte çmimet e njësive. Kështu te preventivi “Mbyllja e landfillit ekzistues”, Mërtiri i shton kostot me 900 mijë euro, nga 12 milion euro në 12.9 milion. Po ashtu ekonomisti i kompanisë Consult SE Partners që mbante bilancet e firmave të tyre, Erton Kaleshi, sugjeron shtesën e disa zërave që tarifa për ton të dilte e lartë dhe të jepej përshtypja që marzhi i fitimit për koncesionarët është më i ulët.
“Përshëndetje, bashkëngjitur po iu nis tabelën e llogaritjes së tarifës 29 euro/ton. Nëqoftëse do të zbatojmë të dhënat sipas planit të biznesit që kemi bërë, atëherë e ardhura për shoqërinë koncesionare do të jetë 14.46 euro/ton. Mendoj që të ulim të ardhurën e shitjes së skrapit, në mënyrë që marzhi i fitimit të shoqërisë koncesionare të ulet në evidentimin e tarifës.” shkruante Erton Kaleshi.
Nga analiza e librave të shitjes që ka bërë prokuroria, rezulton se koncesionari Integrated Energy Bv Spv ka arkëtuar deri në fund të vitit 2021, 54.7 milion euro nga bashkia e Tiranës, 1.3 milion euro nga ajo e Kavajës dhe 170 mijë euro nga bashkia Vorë. Nga 56.2 milion euro që janë arkëtuar nga entet shtetërore, 35.2 milion euro kanë shkuar për shoqërinë Integrated Technology Services, në pronësi të Klodian Zotos, për shërbime dhe punimet që ITS ka bërë për inceneratorin.
Një pjesë e këtyre parave kanë dalë jashtë kompanisë duke hapur shoqëri fantazmë të cilat faturonin inceneratorin, por paratë nuk i kishin pronarët e tyre, por Zoto, Mërtiri dhe zyrtarë të lidhur me ta.
Pronarët me letra të kompanive fiktive kanë thënë përpara prokurorisë se nuk e dinin që zotëronin firma që xhironin miliona euro.
“Nuk kam themeluar ndonjë operator ekonomik me emrin ‘Lumi 06’ dhe nuk kam dijeni se kush e ka themeluar dhe regjistruar këtë kompani. Unë nuk kam kryer ndonjë aktivitet tregtar në emër të kësaj shoqërie.” ka deklaruar Lumturije Murati, e cila rezultonte me letra një nga kompanitë që prisnin fatura për kompanitë e dyshes Zoto-Mërtiri.
Dy zyrtarët e më të lartë të akuzuar për inceneratorin e Tiranës janë ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako. Bllakos dhe Vladimir Bezhanit, janë të vetmit që SPAK u ka gjetur se kanë përfituar para. Kompania Artemis Farm në emër të bashkëshortes së Klodian Zotos ka paguar 121 mijë euro për blerjen e një linje teknologjike për mbushjen e shisheve të birrës të fabrikës së babait të Alqi Bllakos, Edmond Bllako. Ndërsa Vladimir Bezhani ka marrë në total një pagesë 75 mijë euro përgjatë disa viteve që ka punuar për kompaninë e Klodian Zotos
Por SPAK ende nuk ka evidentuar të gjitha gjurmët dhe të gjithë përfituesit. Nuk është gjetur asnjë llogari që të kenë qoftë dhe 1 mijë euro nga paratë e taksapaguesve. Të vetmet shpresa për rikuperimin e parave, varen te një pronë 2200 m2 me vlerë 4 milion euro, e sekuestruar në Durrës në emër të shoqërisë FMO, por që dyshohet se pronarë të saj janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Për dy llogari të Mirel Mërtirit të hapura në Zvicër dhe Bullgari nuk është ka asnjë raport nëse janë kontrolluar apo dërguar letër-porosi.
Paratë në llogaritë jashtë Shqipërisë shkonin direkt nga kompania Geogenix, kompania mëmë e Integrtaed Energy Bv Spv, e regjistruar në Hollandë, vend që ruan anonimatin e pronarëve.
Nga të dhënat që ka siguruar SPAK dhe letërporositë e autoriteteve hollandeze, rezulton se urdhrat për vendimet që merreshin nga Geogenix drejtoheshin nga Tirana përmes vartëses së Zotos dhe Mërtirit, Denisa Tollkuçi. Dy firma që operonin në fushën e konsulencës financiare kujdeseshin për dokumentacionin dhe gjetjet e menaxherëve që nënshkruanin vendimet e Zotos dhe Mërtirit.
Pronarët e Geogenix Paul Ëurth dhe Energy Recuperator përdoreshin vetëm për efekt dokumentash dhe se aksioner real ishte firma shqiptare Integrated Energy Technology.
Hetuesit kanë gjetur në kompjuterin e Klodian Zotos, një dokument në formën e një marrëveshje bashkëpunimi mes ITS dhe Paul Ëurth dhe Energy Recuperator e datës 29 korrik 2016, e cila përcakton se në çdo moment kompania ITS në pronësi të Zotos mund të refuzonte bashkëpunimin dhe dy firmat italiane ishin të detyruara të shisnin aksionet.
Për kompanitë italiane që kanë bashkëpunuar në mashtrim, nuk ka asnjë akuzë!
Sink…
Të mirqëna janë marrë dhe deklaratat që kanë dhënë për autoritetet e drejtësisë Alberto Presezzi dhe Max Abtibol, të cilët janë paraqitur nga zyrtarët e lartë si biznesmenët që janë pronarë të inceneratorit të Tiranës përmes firmave Bruno Presezzi, Franco Tosi Meçanica dhe ICARE. Disa muaj më parë ata zhvilluan një takim në Agjencinë e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara ku u paraqitën si investitorë me eksperiencë, d dhe kërkuan të vazhdojnë investimin për inceneratorin, investim që nuk ekziston.
“Takimi i kërkuar nga CEO i shoqërisë "Bruno Presezzi S.P.A", Z. Alberto Presezzi dhe përfaqësuesi i tij, Z. Miliad Lopa, ka qenë një takim zyrtar pranë zyrave të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Nga ana e Z. Presezzi u bë një prezantim i aktivitetit të kompanisë dhe bashkëpunëtorët me të cilët operojnë, ku shprehën gadishmërinë për asistencë që mund të shërbejë për vazhdimin e projektit.” njoftoi disa orë pas takimit Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Por në përgjigjet e dhëna disa muaj më parë për llogari të SPAK, Albetro Presezzi nuk pranon që është aksioner aktiv në kompaninë mëmë të inceneratorit të Tiranës Geogenix.
Ja se çfarë ka deklaruar ai për marrëdhënien që kishte me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
“Kam njohur gjatë vitit 2022 shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes Giusseppe Ciaffaglione. I kam takuar shumë herë gjatë vitit 2022 dhe për inceneratorin e Tiranës kam diskutuar me shtetasin Mirel Mërtiri. Mërtiri kishte një peshë të madhe në shoqërinë ‘Integrated Energy B.v S.p.v’ pasi merrej me anën teknike dhe bisedonte me të gjithë furnizuesit. Nuk e njoh administratorin e shoqërisë Herman Daniel Vermuelen dhe nuk kam autorizuar asnjë person që të përdorë të dhënat e pasaportës time për të më regjistruar si përfitues fundor në shoqërinë ‘Integrated Energy B.v S.p.v’.”
Zinxhiri i institucioneve që kanë mbyllur sytë dhe nuk kanë reaguar për mungesën e investimit në inceneratorin e Tiranës vazhdon dhe me institucione të tjera, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila nuk ka vendosur penalitete për shkeljen e afateve nga ana e koncesionarit, ndërsa këtë veprim e ka legjitimuar dhe neglizhimi i kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj për të dërguar përfaqësuar në mënyrë që të ngrihet Njësia e Monitorimit të Projektit. Ky veprim ka bërë që shteti të mos përfitojë 8.5 milion euro penalitet nga firma që deri më sot ka marrë miliona euro nga buxheti pa bërë asgjë!
Inceneratori nuk ekziston, e vetmja që dihet është se janë dhënë para të shumta nga taksapaguesit, por as se ku është depozituar gjithë ky ‘cash’ nuk dihet. Ajo që dimë është se po shkojmëdrejt një katastrofe mjedisore, pasi kapaciteti për groposjen e plehrave po konsumohet dita -ditës, e gjasat janë që të shtojmë miliona euro të tjera nga xhepat tanë për të mbyllur gropën e zezë që na la korrupsioni i inceneratorëve!



