
Avokati Jordan Daci, për paralajmërimin e kreut të SPAK, Altin Dumani, lidhur me dosjet e nxehta të SPAK në takimin informal me gazetarët, deklaroi se do të ketë heqje lirie të disa personave.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se me zgjedhjen në krye të SPAK të Dumanit do të ndryshojë muzika në këtë institucion dhe pjesa e dytë e këtij viti do ketë ngjarje po kaq të mëdha që media i cilësonte të pamundura.
Sipas tij, niveli i zbatimit të ligjit në Shqipëri është tejet i ulët, ku abuzimet kanë qenë shumta sidomos për korrupsion në nivele të larta.
Daci shtoi se SPAK merr hetimin për shkak të natyrës së veprës dhe personit të posaçëm, magjistratët apo zyrtarët e lartë.
Lidhur me çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, nëse rasti i tij mund të ndikojë tek çështjet e shqiptarëve që ndodhen të ndaluar në Greqi, tha se nuk do të ndikojnë.
Gjithë retorika politike ka minus ndikim te SPAK, edhe pse nga pikëpamja diplomatike ishte thyerje e konventave ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike, kemi një marrëdhënie mes urrejtjes dhe dashurisë me Greqinë prej vitesh, duhet ta shohim pozitivisht marrëdhënien mes dy vendeve dhe nuk do të ndikojë asnjë Beler. Kjo është çështje personale.
Për çështjen e inceneratorëve rrethi i personave mund të jetë me dhjetëra, nëse do zgjerohet rrethi do jenë me dhjetëra urdhra arresti që do dalin.
Nuk di nëse do jetë zoti Gjiknuri, por nuk përjashtohet asnjë në parim. Fakti që ka disa lidhje të tërthorta e bën të parin në listë mes personave të dyshuar, por këtë nuk e them dot se duhet të kesh prova më parë.
Ka treguar se nuk ka qenë aq i përfshirë sa të vihet nën hetim. Funksioni që ka patur do merrte gjithë vëmendjen edhe sikur të arrestohen 100 vetë.
Rëndësi ka që kushdo që ka shkelur ligjin të japë llogari. Jo çdo emër që përmendet atje do i bëhet gjyqi në televizion dhe pastaj presin që të arrestohet.



