Zv. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero, në fjalën e mbajtur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në lidhje me projektligjin për Lojërat e Fatit tha se në dhënien e licensës është theksuar kriteri financiar. Po ashtu Vjero bëri me dije se drafti parashikon shtim të anëtarëve të rinj në komisionet e licensave për të forcuar vendimmarrjen. Ajo bëri me dije se në draftin e ri është shtuar edhe përfaqësuesi nga Drejtoria për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave.
Drafti i ndryshuar s’duhet të largohet nga qëllimi primar i formalizimit të tregut të basteve online, garantimi i të ardhurave që sot merren në mënyrë informale dhe askush nuk përfiton, dhe shtimi dhe forcimi i elementeve për mbrojtjen e lojtarit. Të përpiqemi nëpërmjet ndryshimeve ligjore që problemet sociale t’i amortizojmë dhe nga ana tjetër garantimi i të ardhurave dhe rishpërndarja e këtyre të ardhurave. Të ardhurat do të rishpërndahen për projekte, për kauza të mira, projekte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit. Drafti ka pësuar shumë ndryshime pozitive, në përbërjen e komisionit të licensave, ku janë shtuar anëtarë të rinj, për të forcuar vendimmarrjen, është shtuar edhe përfaqësuesi nga drejtoria për parandalimin dhe pastrimin e parave. Shumë akte nënligjore janë riparë dhe konsoliduar, duke i dhënë më shumë hapësirë Këshillit të Ministrave për vendimmarrje më të pjekura. Më tej janë riparë edhe një herë kërkesat për kompanitë që do të licensohen, kriteret për kompanitë dhe aksionerët. Janë vendosur elemente që lidhen me eksperiencën në vende të OECD, por edhe një përqindje në kapital që do duhet të kenë për të aplikuar në licensë.
Në licensë është theksuar kriteri financiar. Licensa të fillojë nga një nivel minimal dhe kush ofron më shumë do ketë një avantazh më shumë. Në rastin e Lotarisë Kombëtare është propozuar ulja e tarifës së licensimit dhe kapitalit themeltar. Ju kryetar keni propozuar që të ulet fasha e atyre që do luajnë në këto lojërave dhe fasha e të punësuarve. Lidhur me normën e fitimit për këto dy kategori, është parashikuar që të ketë një ulje në masat 50 me 50 për qind. Janë lojëra që s’kanë nivel informaliteti dhe lojtarët mund të përfitojnë më shumë se në kazino dhe baste sportive. Fashat orare i kemi unifikuar të gjitha. Kemi propozuar orën 08:00-08:00 për lojërat e fatit. Drafti është shumë herë më i plotësuar.
Për niptet sekondare kemi gjetur dakordësinë. Jemi dakord që të hiqet në ligj detyrimi për pasjen e nipteve sekondare, kur këto bileta tregtohen në një njësi që është e pajisur me një nipt. Kjo i ndihmon kompanitë që të mos regjistrohen në QKB me nipte shtesë. Në lidhje me fashën e orareve dhe normën e fitimit le t’ia lëmë vendimmarrjes së komisionit. Ne gjykojmë se edhe në rast se do kemi një rënie të normës së fitimit, lojtari do të marrë më pak në fund të ditës, dhe kompania do të taksohet. Propozimi për përqindjet është nga 80 për qind në 50, dhe 60 në 50. Bëhet fjalë që lojtarit i rikthehet 80 për qind e asaj që ka luajtur, nëse do zbresë në 50 kthimi do jetë më i ulët. Por kompania do taksohet. Nuk parashikojmë që do ketë cenim të të ardhurave".



