Seanca plenare e Kuvendit nisi teksa jahste vijon protesta e qytetarëve, të cilët u drejtuan deputetëve me thirrjet: Ju erdhi fundi!
Në nisje të seancës, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se interpelancat e kërkuara nga opozita nuk janë pranuar.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, refuzoi kërkesën e Bardhit për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me pesë kërkesat e paraqitura nga protestuesit.
Sipas Peleshit, çështjet e ngritura kanë natyrë legjislative dhe nuk përbëjnë objekt për një interpelancë.
"Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative, pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave. Kërkesa nuk paraqet një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Për këtë arsye, kërkesa nuk pranohet", u shpreh Peleshi.
Në reagimin e tij nga foltorja e Kuvendit, Bardhi akuzoi drejtuesin e seancës se po mbron kryeministrin nga llogaridhënia dhe vijoi me kritika të forta ndaj Edi Ramës.
Zoti Kryetar,
A ju ka thënë ndonjëherë Edi Rama “fuck you”?
Ju mund të thoni ”Jo” dhe të mbroni të pambrojtshmen. Por ne e dimë që e ka bërë.
Ua tha protestuesve para gjithë botës, duke turpëruar Shqipërinë në median ndërkombëtare. E cila edhe ajo, si protestuesit dhe opozita, e sheh Edi Ramën në rolin e një kumbari mafioz.
Por, zoti Kryetar, kolegë të Partisë Socialiste, sot po jua thotë edhe juve.
Jo me fjalë. Me veprime.
Sepse çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të përmbushur një detyrim kushtetues? Çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të ardhur në Kuvend dhe për të dhënë llogari? Çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për t’iu përgjigjur qytetarëve përmes institucionit që i përfaqëson?
Ky nuk është refuzim ndaj opozitës.
Ky është refuzim ndaj Parlamentit.
Ky është refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.
Ka një vit që ky Parlament nuk ka pranuar asnjë kërkesë për interpelancë të deputetëve të opozitës. Nuk e di nëse Edi Rama ju ka thënë ndonjëherë atë që u tha shqiptarëve në një nga mediat më të rëndësishme botërore.
Dje ua tha shqiptarëve para gjithë botës, duke turpëruar Shqipërinë në mediat ndërkombëtare. Sot po ua thotë edhe juve në sy, po ia thotë Kuvendit të Shqipërisë me veprimet e tij.
Çfarë kuptimi ka refuzimi për të përmbushur një detyrim kushtetues? Ju, zoti kryetar, sot nuk po mbroni Kushtetutën, por po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia.
Sado manipulator të jetë, Rama e di se nuk mund të flasë në publik për krimet e tij shtetërore. Ai e ka menduar dorëheqjen, por nuk mund ta japë sepse nuk është njeri i lirë. Ka ende borxhe për të shlyer.



