Rusia është e gatshme dalë garant për çdo marrëveshje paqeje për Afganistanin për të cilën do të bihet dakord mes Shteteve të Bashkuara dhe Talibanit, tha të mërkurën Ministria e Jashtme ruse.
Më parë, Talibani thanë se ishte afër një marrëveshjeje me zyrtarë amerikanë, sipas së cilës forcat amerikane do të tërhiqeshin nga Afganistani në këmbim të premtimit nga grupi militant se vendi nuk do të bëhej strehë për terrorizmin ndërkombëtar.
"Pala ruse është e gatshme të jetë palë e tretë në nënshkrim ose një garantuese e mënyrës se si do të zbatohet marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Talibanit", citoi zëdhënësen e ministrisë Maria Zakharova agjensia e lajmeve TASS.
Bisedimet për mënyrën e mbarimit të luftës 18-vjeçare në Afganistan janë zhvilluar në Doha, kryeqytetin e Katarit, që nga fundi i vitit të kaluar.
Rreth 14 000 trupa amerikane mbeten në Afganistan, duke trajnuar dhe këshilluar forcat afgane dhe duke kryer operacione kundër kryengritjes. NATO gjithashtu ka një mision në vend me 17 000 trupa për të siguruar mbështetje për forcat afgane.
Rusia, e cila si pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik zhvilloi një luftë 10-vjeçare në Afganistan përgjatë viteve 1980, ka mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet për të arritur një zgjidhje paqeje në vend. /Reuters/



