
Prej disa ditësh vijon zjarri në Malin e Çikës, ndërsa mësohet se shuarja e flakëve është e pamundur për shkak të terrenit.
Situata paraqitet serioze, por deri më tani flakët janë të përhapura vetëm në kodër, dhe nuk kanë zbritur në Llogora apo në Dhërmi.
Sa kaq, vihet re një ajër i ndotur për shkak të tymit të madh të krijuar, ndërsa turistët janë të shqetësuar dhe disa kanë nisur të largohen nga zona.
Nga dita e djeshme dhe deri tani në malin e Çikës janë djegur disa ha me shkurre dhe pemë (trungje) të thata në një vijë prej 3 km.
Ndërkohë që një operacion masiv është organizuar në terren për shuarjen e tij, ku janë angazhuar rreth 100 trupa të Forcave të Armatosura dhe 20 forca nga zjarrfikësit lokalë, Administrata e Zonave të Mbrojtura dhe punonjës të bashkisë Himarë.



