
Kanë mbetur pak më shumë se 48 orë deri në përmbyllje të afatit kur koalicionet parazgjedhore mund të deklarohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, ndërkohë që deri tani, asnjë parti nuk ka regjistruar koalicionet e tyre të mundshme.
Sipas analistëve të çështjeve politike në Kosovë, koalicionet e përfolura deri më tani në mes të LDK-së e Vetvendosjes nuk pritet të ndodhin, por as PDK e AAK nuk shihet se mund të bëjnë ndonjë lëvizje të madhe në drejtim të koalicioneve të ndryshme.
Ndërsa, mosdeklarimin e asnjë koalicioni parazgjedhor në KQZ, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i saj, Valmir Elezi, i cili tha për mediat kosovare se afati për një gjë të tillë është hapur dje (27 gusht) dhe pritet të përfundojë më 30 gusht në ora 24:00.
“Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve ka filluar më 27 gusht dhe përfundon me 6 shtator. KQZ e ka vendos afatin e fundit datën 30 gusht deri në orën 24:00 për deklarim të partive politike që kërkojnë certifikim përmes koalicionit. Partitë politike të cilat nuk njoftojnë se do të garojnë në zgjedhje si pjesë e koalicionit, ato nuk mund të aplikojnë për koalicion pas këtij afati”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të fillojë asnjë procedurë për organizimin e zgjedhjeve pa alokimin e parave të nevojshme nga Qeveria në largim e Republikës së Kosovës. Në rast të vonesave eventuale, KQZ-ja thotë se nuk merr ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore pritet të hapet më 25 shtator dhe të zgjasë deri më 4 tetor, ndërsa dita e votimit është 6 tetori.



