Pjesa jug-perëndimore e Shqipërisë është pushtuar nga emërtimet në gjuhën greke. Monumente të kulturës, objekte të kultit dhe institucione të ndryshme edhe pse ndodhen në territorin shqiptar, në google maps rezultojnë në gjuhën greke.
Ky fenomen është më i përhapur në qarkun e Vlorës dhe atë të Gjirokastrës. Për të gjetur vendodhjen e kishave të ndryshme në Shqipëri duhet të shkruash emrin e tyre në greqisht, pasi nëse kërkon në gjuhën shqipe nuk rezulton asnjë e dhënë.
Ura e Kaçarellos bën pjesë në listën e monumenteve të kulturës, por në google maps rezulton me emër grek.
Për zonat minoritare është e drejtë e tyre që emërtimet të jenë në të dyja gjuhët, por në google maps institucione si posta shqiptare dhe policia në Dropull gjenden të emërtuara vetëm në greqisht.
Xhadat u interesua edhe pranë disa institucioneve shqiptare në lidhje me këtë problematikë. Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor në përgjigje të kërkesës, sqaroi se elementë të relievit, hidrografisë, trashëgimisë kulturore në disa raste janë të gabuar, por edhe në gjuhë të huaj.
Në vazhdimësi të përgjigjes ky autoritet deklaroi se i është drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si institucioni kompetent për marrëdhëniet ndërkombëtare, që në vitin 2020 për platformën Google Maps dhe 2021 për platformën Bing.
Xhadat ju drejtua Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e pyetur në lidhje me masat e marra pas adresimit të problematikës nga ana e ASIG. Në përgjigje, Ministria e Punëve të jashtme deklaroi moskompetencën.
Për shkak të këtyre ndërhyrjeve, turistë të cilët duan të vizitojnë vendndodhje të caktuara në Shqipëri nuk mund t’i gjejnë ato, për shkak të emërtimit në gjuhën greke.
Gabime të tilla në google maps kanë sjellë edhe konflikte të shumta në vende të ndryshme.



