
Me konstituimin e parë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ky këshill nisi punën për të çelur zyrtarisht thirrjen për 15 anëtarët që do të bëhen pjesë e SPAK.
Prokuroria e Posaçme, një strukturë nga e cila pritet të hetohen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të korruptuar, e projektuar nga ndërkombëtarët dhe ligjvënësit shqiptarë për t’i dhënë një goditje të fortë krimit dhe korrupsionit në vendin tonë, në të gjithas nivelet që nga ’91 e deri më sot.
Thirrjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK, i janë përgjigjur 15 prokurorë jo vetëm nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por edhe ato të rretheve e niveleve të tjera të organit të akuzës.
Ndërsa për të përzgjedhur kandidaturat më të mira, KLP-ja e shty afatin e aplikantëve me dy javë të tjera, ndërkohë që shpesh herë edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca në vendin tonë ka lëshuar thirrje të vazhdueshme, duke inkurajuar prokurorët të bëhen pjesë e SPAK.
Dy kritere të forta të vendosura nga KLP-ja për të qenë kandidatura të përshtatshme të Prokurorisë së Posaçme është kalimi në sitë për të trija kriteret, atë të pasurisë, figurës dhe integritetit profesional. Por ajo që ka bërë të hezitojnë pak kandidatët për të shfaqur interes për këtë strukturë të re të drejtësisë shqiptare, është edhe fakti i dhënies së pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.
Për këtë, kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim, për të dhënë dakordësinë. Gjithashtu, në ligj është parashikuar që prokuroi kandidat, bashkë me familjarët dhe të afërmit e tyre, duhet të japin të gjithë pëlqimin, përmes një deklarate të firmosur, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.
Kjo do të thotë që kandidatët duhet të heqin dorë nga privatësia, të përdorin vetëm ata numra telefoni dhe adresë të postës elektronike, të cilat kontrollohen nga oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të gjithë anëtarët e Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, ndërsa të gjitha dosjet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do t'i kalojnë për shqyrtim kësaj strukture pranë godinës aktuale. Me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, në bazë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe Gjykatës së Lartë, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj. 2. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.
Kjo do të thotë që të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët, të dyshuar për çdo vepër penale, do të merren nën hetim nga SPAK-u.



