Hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lozhan, ku gjatë një shkëmbimi zjarri humbi jetën efektivi i Policisë Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, kanë zbuluar detaje të reja mbi arsenalin e armëve të gjetura në vendin ku fshihej i shumëkërkuari Violandi Braçellari.
Sipas të dhënave hetimore, në stanin ku dyshohet se strehohej Braçellari janë sekuestruar tre armë zjarri: një automatik kallashnikov, një pushkë model 56 dhe një armë gjahu çifte.
Megjithatë, në vendngjarje nuk është gjetur municion, çka ngre dyshime se i dyshuari mund të ketë përdorur të gjithë municionin në dispozicion gjatë përplasjes me forcat e rendit.
Gjithashtu, në zonën ku ai fshihej është gjetur edhe një radio policie. Gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur pajisjet e tyre të komunikimit për të shmangur ndërhyrjet apo interferencat me sinjalin e radios së përdorur nga Braçellari.
Nga hetimet e Prokurorisë dhe AMP-së mbi zbatimin e procedurave dhe protokolleve nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, deri më tani nuk janë konstatuar shkelje.
Sa i përket moskërkesës për ndërhyrjen e forcave RENEA apo forcave operacionale, grupi hetimor sqaron se vlerësimi i rrezikshmërisë së Braçellarit është bërë në mënyrë korrekte nga Policia e Korçës, duke u bazuar edhe në të dhënat se ai ishte i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, dhe jo për vepra të rënda kundër jetës.
Autoritetet theksojnë se kërkesa për ndërhyrjen e RENEA-s bëhet rast pas rasti dhe nuk përbën detyrim në çdo operacion policor.



