Frika për një tërmet të ngjashëm me atë të 26 nëntorit u ndje pas mesnate, kur lëkundje të forta përfshinë Tiranën, Durrësin dhe Kavajën.
Epiqendra e tërmetit ishte 27 kilometra nga Tirana në një thellësi 44 kilometra.
Ndryshe nga tërmeti i kaluar kur për shkak të mungesës së energjisë, aparaturat nuk regjistruan magnitudën e saktë, kësaj radhe të dhënat e Institutit të Gjeoshkencës flasin për lëkundje me intensitet më të ulët.
Sizmologu Llambro Duni sqaron se bëhet fjalë për vazhdimësinë e paslëkundjeve të 26 nëntorit.
“Është regjistruar një tërmet me madhësi 4 sipas shkallës Rihter. Ne publikojmë dhe llogarisim madhësinë me shkallën Rihter. Ky tërmet sipas kësaj shkalle është 4. Ka disa magnituda të cilat e vlerësojnë tërmetin. Këto mund të ndryshojnë nga njëra-tjetra, por shprehin të njëjtën energji në vatrën e tërmetit. Ne kemi njerëz që rrinë 24 orë në aparaturat që monitorojnë ngjarjet sizmike, të cilët përcaktojnë në mënyrë të saktë epiqendrën dhe madhësinë”
Sipas Dunit lëkundjet sizmike që kanë vijuar pas 26 nëntorit janë normale, dhe se nuk ka nevojë për panik.
“6.3 sipas shkallës Rihter dhe 6.4 sipas magnitudës së momentit është një tërmet shuëm i fortë, ngjarje të tilla gjithmonë shoqërohen me pasgoditje. Këto vijnë duke u zvogëluar, por në këtë trend mund të ketë ngjarje që e thyejnë këtë rregull. Kjo do të vijojë për disa muaj”.
Sizmologët shpjegojnë se deri në puthitjen e dy pllakave tektonike që ndodhen në këtë rajon do të vijojë të ketë paslëkundje. Ditët e fundit nga tërmetet janë goditur edhe vendet fqinje si italia dhe Greqia por pa dëme në njerëz.



