Rama, letër publike Bashës: Ulemi në tryezën e dialogut/ Basha refuzon ftesën (VIDEO)

Rama, letër publike Bashës: Ulemi në tryezën e dialogut/ Basha refuzon ftesën (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër publike kreut të PD-së Lulzim Basha që të ulen pa humbur kohë në tryezën e dialogut. Gjithsesi, Rama thotë se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen.

Zoti Kryetar,

Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!

Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qysh se braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë. S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as bojkotin e paprecendentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor.

Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në Tryezën e Dialogut. Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve.

Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut.

Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar. Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë. Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar.

Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin, që përveç fjalive propagandistike, të marr mbrapsht edhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë, Ju lutem zoti Kryetar të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj, shkruan Rama në letrën publike drejtuar Bashës. 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama për të dialoguar në favor të zgjidhjes së krizës politike në vend, duke diskutuar në tavolinë edhe zgjedhjet e 30 qershorit.

Nga Durrësi, ku ishte i pranishëm në një takim më simpatizantë të PD-së, Basha tha se “nuk pranon të luajë atë lojë” dhe se PD-ja nuk do të pranojë të bëjë asnjë marrëveshje “djallëzore” në kurriz të shqiptarëve.

Kryedemokrati Basha tha se Rama i propozon atyre kapitullimin pa kushte të PD-së, por opozita, tha Basha, ka zgjedhur një tjetër rrugë, atë të përballjes në këtë betejë për të çliruar Shqipërinë.

“Nuk luajmë lojën me portat e vogla të krimit si Edi Rama. Nuk ka asnjë hap pas

Misioni ynë është një mision kombëtar. Në historinë e shoqërive në përballje të tilla, vijnë momente si ky ku ndodhemi sot, ku një parti e madhe me një histori të madhe dhe një mission të madh kombëtar, si Partia Demokratike e Shqipërisë, duhet të vendosë nëse duhet të zgjedhë rrugën e rehatit, rrugën e pazarit, rrugën e kompromisit me të keqen për hir të pushtetit dhe karriges, apo rrugën e vështirë, të drejtë dhe hyjnore të betejës për njerëzit, për Shqipërinë, për të ardhmen e saj.

Ne e kemi bërë zgjedhjen. Ne jemi në krah të njerëzve. Ne jemi në krah të projektit tonë me të cilën lindëm, projektin për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ne kemi ndalur çdo kalkulim të vogël politik.

Ne nuk luajmë me portat e vogla të krimit dhe të oligarkëve, siç luan i babëzitur nga mëngjesi deri në darkë Edi Rama.

Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë.

Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha, duke i kthyer kësisoj edhe një përgjigje letrës publike të kryeministrit Edi Rama.

Basha, tha se më këtë propozim, Rama i bën nder vetëm karrikës së tij.

“Edi Rama na propozon që në 30 qershor ne të bëjmë sehir teksa ai bën një grusht shteti, një proces fals. Ku mbi 1 milion shqiptarë nuk kanë karta identiteti, në një proces zgjedhor ku serveri i gjendjes civile ka rënë dhe regjistri manipulohet nga mëngjesi në darkë. Ku regjistri i adresave është bërë lëmsh. Na propozon zgjedhje me kriminelë si Artur Bushi, Tërmet Peçi, e dhjetra të tjerë rikandidojnë kur dekriminalizimi duhet ti kishte nxjerrë nga dritarja. Na propozon një asistente hajdute të Vangjush Dakos, tani që Dakon ka nisur ta përpijë vorbulla. Jo vangjush Dako jo, Rama të gënjen, fundi yt është para gjyqtarëve të pakorruptuar, prapa hekurave për gjithçka që i ke bërë Durrësit dhe durrsakëve. Pra na propozon të ulim kokën dhe të pranojmë një tjetër proces, kësaj radhe edhe pa garë. Edi Rama me këtë propozim i shërben vetëm karrikes së tij”, tha Basha në fjalën e tij.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy