Analisti Mustafa Nano, përsërit qëndrimin e tij se Presidenti i zgjedhur i ka lënë shije të keqe, ndonëse nuk e njeh.
Ai tha për MCN Live se i ka lënë shije të keqe, mënyra si e përuroi fillimin e mandatit presidencial.
Nuk është futur ende në zyrë, por u zgjodh, për mua ai u zgjodh që kur i doli emri nga socialistët. U bë një takim mes Kryeministrit dhe Presidentit që do zgjidhej, ku e donte kryeministri, si e donte, për të treguar që ky është njeriu im.
Më duket lëvizje budallaqe e Ramës, nuk e di pse e bëri. Lëre publikun ta mendoj, këtu nuk e kuptoj Ramën, kam parë Presidentin, që e trajtoi Kryeministrin si punëdhënësin.
U pa si betim para Kryeministrit. Ndoshta nuk është faj i tij, ndoshta ishte kurth ku e futën, por kjo ishte mënyra më e keqe për ta filluar mandatin presidencial.
Na duhet një President me personalitet, jo anti-qeveritar. Qeveria është e tij, më së pari e tij. Duhet të tregojë personalitet, forcë, duhet të dijë ti rezistojë presionit.
Ne na mungon njohja. Kam përshtypjen se ne e njohim më shumë se Rama. Nuk di ta ketë takuar më parë, edhe nëse e ka takuar e ka takuar 5 minuta, jo sa për ta njohur.
Ai mund të na zhgënjejë të gjithëve nesër, por edhe mund të na befasojë.
Nano deklaroi se Presidentët nuk kanë shfrytëzuar të drejtën për të mbajtur fjalim në Parlament, para popullit për një çështje të caktuar, duke e argumentuar me faktin se iu mungon personaliteti.
Sipas tij, Presidenti duhet të jetojë me pulsin e kombit.
Lidhur me akuzat e ngritura ndaj SPAK, për Presidentin e zgjedhur Bajram Begaj, Nano tha se nëse ka një padi të ngritur nga SPAK, nuk duhet të përfshihemi te sporti i akuzave, siç tha ai, e quajti Kryeministri.
Nuk besoj se ka pasur komplot ndaj Bajram Begaj, ndaj duhen pritur vendimet e SPAK. Nëse ka pasur një padi, mazhorancën duhet ta pengonte për të bërë këtë që bëri, për sa kohë është bërë nga një strukturë shtetërorë.
Sa i takon dekretit të Presidentit Ilir Meta, për lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, për t’i hapur rrugën drejt Presidencës, nga Turqia, deklaroi se i bëri përshtypje që Ilir Meta pati ngut për ta dekretuar duke qenë edhe jashtë.
Ndërkohë që Kushtetuta nuk e imponon këtë ngut. Nuk e kuptova këtë qëndrim për të qenë korrekt me mazhorancën, në minutat e fundit të mandatit të tij. Presidenti është President, në çdo vend ku ndodhet.
Patëm reagim të Berishës i cili kapi në befasi shumëkënd. Sepse kam menduar se kanë marrëdhënie të mirë. Kanë kohë që lëshojnë komplimente ndaj njeri tjetrit.
Kanë halle të përbashkëta, të njëjtët armiq, por edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve mbi këta dy. Ndoshta jo ndaj Ramës, nga që Rama është në qeveri dhe nuk duan destabilizimin.
Meta duket se ka marrë ndonjë garanci se nuk do ketë fatin e Berishës. Ka lënë të kuptohet një bashkëpunim të fortë me opozitë.
Për Presidentin e zgjedhur, Nano tha se nuk di të thotë nëse është Presidenti i Ramës dhe se interesi ndaj Begajt fillon tani dhe nuk mund të paragjykohet për karrierën e mëparshme.



