Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori tha në emisionin “Zonë e Lirë” se kryebashkiaku Erion Veliaj është drejt burgut. Sipas tij kryeministrit Rama i intereson ta mbajë jashtë burgut deri ditën e zgjedhjeve.
“Me sa kuptoj unë, kam përshtypjen që Erion Veliaj është drejt burgut, mirëpo se kur dhe se si do shkojë kjo punë s’di ta them. Ramës i intereson ta mbajë jashtë burgut deri ditën e zgjedhjeve, sepse nuk besoj se pastaj Erion Veliaj do ketë të ardhme politike.Ramës po ia heqin nga duart shokët dhe bashkëpunëtorët, nuk është se ai po i lëshon. Ne s’do kemi drejtësi tamam në Shqipëri nëse Rama s’përballet me drejtësinë”.

Ai u shpreh po ashtu se kryeministri Edi Rama po mendon të mbyllë TikTok-un si një formë censure.
“Me mbylljen e TikTok-ut që për ne ka qenë mjeti ynë kryesor i komunikimit masiv, mbetet e pashmangshme dalja në mediat tradicionale. Do përdorim armët që janë në dispozicion. Kemi përgjegjësi të komunikojmë me sa më shumë qytetarë. Në sondazhin e pëlqyeshmërisë, dilte që mbi 30 për qind e tyre ende s’e njihnin Lëvizjen Bashkë. S’është e lehtë të shkosh te qytetarët. Në TikTok ka një algoritëm që mesazhi yt shkon gjithandej. Faqja ime dilte e dyta sa i përket shumës së pëlqimeve. Aty është një komunitet prej 40 mijë njerëz që kanë zgjedhur të më ndjekin. Praktikisht është një mbylljë goje, një censurë. Unë mendon që qëllimi kryesor është ky. Ai do ta kanalizojë diskutimin politik ose në mediat tradicionale, apo në rrjetet sociale ku mund të mbyllet faqja. Faqja jonë në Instagram është sulmuar dhe mbyllur, nuk e bëjnë dot në TikTok”.



