Votohet buxheti për vitin 2021 me 84 vota pro, pjesën më të madhe e merr shëndetësia (VIDEO)

Votohet buxheti për vitin 2021 me 84 vota pro, pjesën më të madhe e merr shëndetësia (VIDEO)

Buxheti për vitin 2021 u miratua nen për nen sot në Kuvendin e Shqipërisë pas një sërë ndryshimesh që u miratuan në Komisionin e Ekonomisë. 

Buxheti mori miratimin e 84 deputetëve, 9 kundër dhe 4 abstenime.

Këtë herë prioritet në buxhetin e vitit 2021 ka marrë pandemia e Covid-19. Nga përllogaritjet e bëra, është vendosur që 1.2 miliardë lekë të shkojnë për të rimbursuar ilaçet për çdo person që preket nga Covid-19 dhe kurohet me ilaçet. Në total, buxheti i ministrisë së Shëndetësisë është vendosur të rritet edhe me 2.2 miliardë lekë duke arritur në rreth 70 miliardë lekë.

Në seancën e sotme u miratua dhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për "Partitë politike" me 82 pro, 14 kundër dhe 3 abstenim.  Ndërkohë që Kuvendit miratoi edhe buxhetin faktik të vitit 2019 me 80 pro, 15 kundër dhe 4 abstenim.

12:56h-  Rama: Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për periudhën e pandemisë, paguam kaparin për Covax

Kryeministri Rama foli në Kuvend për buxhetin e vitit 2021 ku preku më së shumti sektorin e shëndetësisë.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se qeveria ka vendosur që të dyfishojë vlerën e ndihmës ekonomike për të gjithë periudhën e pandemisë për ato familje që trajtohen me këtë skemë. Gjatë fjalës sot në Kuvend, Rama tha se edhe rimbursimi i barnave të recetës bazë do të bëhet, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e ankthit.

“Qytetarët të mos bien pre e ankthit dhe të mos marrin këshilla në whatsapp, apo nga mjekë që nuk janë të specializuar dhe të autorizuar si mjekët e familjes. Thënë kjo, në buxhetin e 2021 ne do të vazhdojmë atë që nisëm, mbështetjen me financë të recetës bazë dhe futjes në skemë për t’u rimbursuar të të gjithë medikamenteve dhe në funksion të të gjithë të prekurve nga COVId-19. Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për periudhën që na duhet të përballemi me pandeminë, jo në funksion të të prekurve por atyre që janë pjesë e skemës për ndihmën ekonomike.

Në këtë buxhet kemi vazhdimin e një mbështetje që hyn në fuqi për të gjithë të prekurit me covid që trajtohen në kushte shtëpie. Tu them qytetarëve që duhet tu referohen mjekut. Të mos shpenzojnë nga buxheti i familjes për të bërë dëm në shëndetin e tyre. Eshtë 1 nga problemet dhe në vendet e zhvilluara si Italia ku vërehet fenomeni i marrjes së medikameneteve që nuk ndihmojnë dhe që e dëmtojnë të prekurin nga ky virus. Këtu hyjnë spekullantët , ankthi i familjes, pasiguria e personit rë prekur. Mos merrni këshilla nga whatssapi.

Nuk dua të marr shumë kohë, dua të shfrytëzoj këtë pikë të rendit të ditës së Kuvendit, për të nënvizuar aspektet e buxhetit të vitit 2021 për shëndetësinë, e cila zë një vend të veçantë në buxhet, qoftë përsa i takon fuqizimit të mëtejshëm dhe ecurinë e zbatimit të vizionit tonë. Masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit të ardhshëm. Qoftë edhe për masat që lidhen me pjesë më vulnerabël të shoqërisë që preken nga Covid-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë e familjeve me ndihmë ekonomike. Në vitin 2021, është edhe rritja më e lartë këto 30 vjet për Shëndetësinë, në një buxhet të shtetit. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Shqipëria nuk ka asgjë mangut nga vendet e tjera, siç nuk ka mangut sfidat dhe taksiratat e kësaj sfide, nuk ka mangut asgjë në vijën e mbrojtjes. Parafytyroni që kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet që ne gjetëm kur morëm detyrën. Siç pamë edhe në spitalin e Vlorës, dukej ndryshimi. Është si dita me natën. I tillë është dallimi edhe në QSUT, edhe në Shefqet Ndroqi edhe në spitalet rajonale. Spitalet kishin aparturat e kohës Shqiptaro-kineze, sot kanë gjithçka që u duhet”-tha Rama.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria i ka paguar kompanisë COVAX kaparin për vaksinën anti-Covid që pritet të dalë së shpejti.

Rama tha se vendi ynë është tashmë pjesë e atyre shteteve që e kanë paguar detyrimin financiar ndaj COVAX dhe do të përfitojë një numër vaksinash të cilat do të jenë falas, fillimisht për shtresat më të prekura, e më pas për pjesën tjetër të popullsisë.

“Sot në mesnatë futet edhe koha që Shqipëria ka paguar edhe kaparin për Covax. Ka hyrë në rrjetin e shteteve që kanë prenotuar financiarisht aksesin në vaksinën që pritet të dalë për përdorim masiv në muajt që vijnë. Ne jemi në komunikim të përditshëm me Bashkimin Europian për të garantuar qartësi dhe siguri për vaksinimin e popullsisë. E dimë që vaksina do të dalë, por sasitë nuk do të jenë mënjëherë të atilla që do të mbulojnë vaksinimin e ccdo populate në Europë. Ne kemi të njëjtën strategji si vendet e tjera. Do fillojmë me vaksinimin falas për shtresat vulenralëb dhe më pas do ta shtrijmë masivisht, ne jemi gati për të pasur akses dhe do të ndërtojmë aleancat e duhura, që të mos mbetetemi mbrapa të tjerëve. Jam optimist që Bashkimi Europian do të jetë gjithëpërfshirës bashkë me vendin tonë".

Duke bërë dhe një krahasim me spitalet e disa viteve më parë dhe gjendjen aktuale, Rama thotë se ndryshimi është si nata me ditën.

"Masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit të ardhshëm. Qytetarët që preken nga virusi COVID-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë me ndihmë ekonomike. Së pari rritja e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2021 është rritja më e lartë në të gjitha këto 30 vjet për shëndetësinë në një buxhet të shtetit. Plus 23.3 %, një rritje e pandodhur më parë që siç e thashë lidhet me masat e reja që do të qëndrojnë aty qoftë edhe me fuqizimin e vijës mbrojtëse për të dalë kryelartë nga kjo luftë. Shqipëria nuk ka asgjë mangët nga gjërat e tjera. Sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet kur ne morëm detyrën. Ishim në spitalin e Vlorës në sallën e re të reanimacionit, dallimi mes çka kemi sot dhe çka kishim dje ishte realisht dallimi i ditës me natën dhe i tillë është edhe në QSUT dhe në spitalet e tjera rajonale. Në spitalin e Vlorës në 2014 kishte vetëm 2 aparatura të vjetra të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Sot linjat e oksigjenit, aparaturat që suportojnë trajtimin e pacientëve me oksigjen janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID" - tha Rama.

12:00h- Balla: Nuk e ndalojmë dot që partitë të mos financohen nga burime të paligjshme

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se Partia Socialiste e Shqipërisë në 30 vite nuk ka shkelur kurrë asnjë marrëveshje, edhe me kundërshtarët e vet, ndërsa theksoi se ndryshimet kushtetuese u kanë hapur rrugë edhe hapjes së listave.

Duke folur nga Kuvendi mbi financimin e partive politike, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka hedhur akuza mbi financimin e PD-së.

Ai pretendon se demokratët financohen nga rusët dhe thotë se drejtësia shqiptare ka dështuar të hetojë lidhjen e tyre.

"Disa deputetë nuk e kanë kuptuar ligjin për partitë politike. Ne jemi të qartë që procesi i ndryshimeve kushtetuese tashmë 25 prilli na ndajnë vetëm pak kohë. I bëj thirrje partive politike që të garojnë tek gjykatësi që nuk gabon kurrë, popullin shqiptar. Për çështjen e financimit të partive politike. Ajo është një çështje që duhet forcuar legjislacioni. Nuk e kemi një ligj që garanton që partitë të mos financohen nga para me burime të paligjshme. Dështimi i institucioneve të drejtësisë shqiptare për të hetuar siç duhet rastin e financimit të PD-së të bëj publik me prova se si nga një kompani guackë në Edinbugh të Skocisë, persona të caktuar me origjinë apo me pasaporta ruse ua dhanë zemër për të financuar Lulzim Bashën është një fakt që sot nuk është hetuar, që sot përsëri është një sirenë alarmi se si parti politike mund të bien pre e financimeve nga vende që nuk janë aspak miqësore me Shqipërinë. Biem të gjithë dakord që Rusia nuk është një vend miqësor me Shqipërinë. PD është partia e dytë më e madhe në vend pas PS-së" - tha Balla.

10:59h-  Lleshaj në interpelancë për krimin: Kemi goditur 30 grupe kriminale

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është thirrur në një interpelancë urgjente për të folur për sigurinë në vend dhe kriminalitetin.

Në nisje të seancës së sotme parlamentare fjalën e mori deputeti i opozitës parlamentare, Korab Lita, si parashtruesi i intepelencës urgjente me ministrin e Brendshëm, kërkuar nga grup deputetësh.

Lita, teksa renditi arsyet e interpelancës dhe parashtroi pyetjet për ministrin Lleshaj akuzoi se Shqipëria është shndërruar në një Lazarat në të gjithë territorin sa i përketë kultivimit të lëndëve narkotike.

"Pavarësisht se Qeveria e rilindjes nuk e pranon faktet janë shumë të forta. Qeveria shqiptare po e shfrytëzon më së miri pandeminë për të fshehur problemet e tjera.  Sado e rëndë të jetë pandemia është detyra e Qeverisë të mos heqë vëmendjen nga problemet e tjera. Deri para pak vitet ishte Lazarati problemi i madh në vend.Menjëherë pas ardhjes së kësaj mazhorancë në pushtet u organizua operacioni i madh kundër trafikimit të lëndëve narkotike, një luftë e cila rezultoi me një dëshmor që dha jetën, një oficer i policisë i rënë në krye të detyrës. Por duke parë se ç'ndodhi më pas me trafikimin e lëndëve narkotike ndonjëherë mendoj nëse ia vlejti kjo dhënie jetëm ndërkohë që Shqipëria u shndërrua në një Lazarat në të gjithë territorin", tha ndër të tjera z. Lita.

Në fjalën e tij, Lleshaj tha se prodhimi i kanabisit në Shqipëri ka rënë në nivele historike, ndërsa theksoi se edhe krimet kanë shënuar një rënie të ndjeshme, si dhe janë goditur më shumë grupe kriminale.

“Interpelencat urgjente me ministrin e Brendshëm duhen parë pozitivisht. Para një muaji duke folur në kushtet e urgjencës për temën e sigurisë në vend kam thënë se na duhet mbështetja e politikës ndaj policisë mbi krimin. Niveli i rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri është në parametrat më të mirë historik të regjistruar në tre dekadat e fundit. Në periudhën janar-tetor 2020 janë regjistruar mbi 27 mijë vepra penale, krahasuar me mbi 29 mijë të regjistruar një vit më parë. Sa i përket krimeve të rënda kemi ulje gjatë vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe janë regjsitruar më pak krime në familje, vjedhje, si dhe krimi i vrasjes ka ulje të theksuar. Në vitin 2020 janë regjistruar 44 vrasje, ndryshe nga viti kur opozita e sotme dorëzoi pushtetin, kur kishim mbi 100. Kemi vende të BE që e kanë këtë tregues shumë herë më keq se Shqipëria dhe për këtë mund t’i referoheni të dhënave të Instat.

Sa i përket cështjeve që lidhen me sigurinë rrugore, kemi edhe këtu të dhëna pozitive. Në vitin 2020 kemi 153 të vrarë në aksidente rrugore, një reduktim i ndjeshëm nga vitet e mëparshme. Kundër krimit të organizuar kemi shënuar rezultate pozitive. Kemi Task Forcën Forca e Ligjit dhe operacionin Forca e Ligjit, që janë dy gjëra të ndryshme. Kemi shkatërruar 30 grupe kriminale gjatë këtij viti. Anëtarët famëkeq të strukturave kriminale janë pas hekurave. Opozitës tashmë i kanë shteruar ato emra të personaliteteve të krimit të organizuar, që i lakonte cdo ditë. Operacioni Forca e Ligjit, që godet pasuritë, ka përcjellë një mesazh të madh ndaj gjithë botës së krimit në Shqipëri, duke e cuar situatën në një stad të panjohur më parë. Edhe konfiskimet e këtyre pasurive do të arrijnë në një stad të panjohur më parë në vend. Më 2020, policia ka shtuar nivelin e kontrolleve në vend, si dhe ka rritur bashkëpunimin me partnerët. Më 2020 autoritetet italiane kanë kapur vetëm 911 kg kanabis me origjinë nga Shqipëria, kaq! Ka rënie në nivele historike të prodhimit të kanabisit në vend. Sasitë kanë arritur në minimum historik".

Deputeti i opozitës, Korab Lita e mbylli fjalën e tij në Kuvend duke e quajtur ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtuesin më të dështuar të këtij dikasteri.

“Ministri më i dështuar, nëse do kishte moralin e ushtaraku nuk do ulje figurinë e policit dhe do e përçërmojë. Nëse do e kishte bërë një ministër civil edhe mund të kapërdihej, por jo një ushtarak ty t’i hoqën spaletat pa u bërë mirë ministër i brendshëm. Kjo të bën t’i urresh policët”.

08:14h- Kuvendi miraton sot Buxhetin 2021, të ardhurat më të larta i kalojnë shëndetësisë

Kuvendi do të miratojë sot buxhetin për vitin 2021. Pas miratimit nen për nen dhe në tërësi të tij nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, sot janë deputetët ata që do ta shqyrtojnë atë në seancë plenare.

Ministria e Shëndetësisë pritet të ketë buxhetin më të lartë vjetor për vitin që vjen, kjo për shkak të nevojës për përballimin e pandemisë dhe ndryshimeve që u bënë së fundmi. Qeveria njoftoi në fundjavë një shtesë prej 1.2 miliard lekësh të reja për këtë ministri, me qëllim rimbursimin e barnave për Covid-19, për të gjithë qytetarët që kurohen në kushte shtëpie.
Ndërkohë, një pjesë të parave nga buxheti do të shkojnë dhe për naftëtarët e Ballshit, të cilët javën që lamë pas arritën një marrëveshje për mbështetje financiare me kryeministrin Rama.
Ata do të përfitojnë për 12 muaj një pagë mbështetëse prej 40 mijë lekësh të reja neto, si dhe 4 paga nga pagat e prapambetura, ndërsa qeveria do të paguajë të gjitha sigurimet shëndetësore dhe gjithashtu angazhohet për gjetjen e një investitori serioz për të rivënë në punë Rafinerinë.
Nga ana tjetër Komisioni ka vendosur të rrisë edhe buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Turizmit më përkatësisht + 350 mln lekë (MFE garanton vetëm +200 mln lekë) dhe +100 milionë lekë.

 Buxheti i Kuvendit u rrit me 100 milionë lekë, KLSH-ja mori 3 milionë lekë;  Ministria e Bujqësisë Shkolla e Magjistraturës + 60 milionë lekë; KLP +3 milionë lekë; Akademia e Shkenca +10 milionë lekë; RTSH +36 milionë lekë. Fonde do të përfitojë edhe KQZ-ja dhe ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar.

Ndërkohë, gjatë seancës së sotme, pritet të mbahet edhe interpelanca me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj të kërkuar nga deputetët e Opozitës parlamentare. Këta të fundit kërkojnë të diskutohet mbi rezultatet e luftës ndaj trafikut të narkotikëve, vrasjeve e grabitjeve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy