
Festim Lato, i vetëshpalluri President i Republikës së Çamërisë është vrarë mbrëmjen e së shtunës në një atentat në Holandë. Autoritetet holandeze kanë bërë të ditur se dy persona e kanë ftuar për kafe Festim Laton, dhe sapo ka dalë nga shtëpia, është qëlluar me armë, duke mbetur i vdekur në vend.
Njoftimin e vrasjes e ka bërë Angelo Aliu, i cili ashtu sikurse Lato, është vetëshpallur kryeministër i Republikës së Çamërisë. Aliu pretendon se vrasja e Presidentit të Çamërisë ka motiv politik, në një kohë që Lato ishte biznesmen në Holandë. Policia holandeze po heton rastin dhe së shpejti pritet të dalë edhe me njoftim zyrtar.
I vetëshpallur president i republikës së Çamërisë, Lato është një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare. Festim Lato është dënuar disa herë për mashtrim, pas denoncimeve nga shumë persona. Edhe në Kosovë ai është denoncuar dhe akuzuar për mashtrim me mijëra euro, të cilat dyshohet se ua ka marrë qytetarëve të ndryshëm për kauzën e Çamërisë.



