Sot është dita e parë e vitit shkollor. Në studion e MCN Informacion u diskutua në lidhje me problemet dhe vështirësitë që hasin mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Irma Marku, mësuese, u ndal te tekstet shkollore. Ajo tha se ato duhen unifikuar përmes një procesi të kryer nga profesionistë.
Kemi bërë sugjerime për tekstet, nuk janë reflektuar. Alterteksti u kthye në një armik të mësuesit dhe nxënësit. Por nëse ne kemi të bëjmë me mësues të zotë, ata arrijnë ta bëjnë. Mësuesit janë duke e lënë arsimin. Janë vërtet të lodhur. Duhen unifikuar tekstet. Duke parë kakofoninë e teksteve, duhet zgjedhur një ekip personash të përgjegjshëm dhe të aftë. Ne kemi profesionistë që mund ta bëjnë këtë.
Marku tha më tej se shkollat e kryeqytetit përballen ende me mësimin me turne, që ul cilësinë e mësimdhënies.
Shkollat e reja që janë hapur kanë parametra. Në pamje të parë janë godina që ofrojnë atraksion. Janë bërë në periferi ku ka një numër të vogël fëmijësh që ndjekin shkollën. Sepse prindërit gjejnë mënyra t’i sjellin në shkollat në qendër. Turni i dytë ndikon në cilësinë e mësimdhënies. E shohin të gjithë te vetja sa është përqindja e produktivitetit pas orës 14:00 të drekës.



