
Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”.
Korrespondentja Evi Gjini raporton për “MCN Live” se një i mitur 16-vjeçar, i cili drejtonte mjetin pa patentë, ka qenë i përfshirë në aksidentin fatal, ku për pasojë ka humbur jetën.
Dy automjete, një tip “Benz” dhe një tip “Peugeot”, janë përplasur ballë për ballë. Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i mitur i njërit prej mjeteve, Oktavio Merdanaj, rreth 16 vjeç, ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.
Mjeti që drejtohej nga viktima është përplasur me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç.
Sipas burimeve nga vendngjarja, automjeti që drejtohej nga i mituri dyshohet se i ka prerë rrugën mjetit tjetër, i cili po lëvizte nga Poçemi në drejtim të Levanit, në momentin kur 16-vjeçari po tentonte të futej në autostradë nga Cakrani.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje së bashku me grupin hetimor dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti me pasoja fatale.
Aksi Levan-Tepelenë njihet si një nga segmentet rrugore me numër të lartë aksidentesh të rënda ndër vite



