Partia Socialiste vendosi me 82 vota të rrëzojë kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministres Belinda Balluku, ndërkohë që opozita zhvilloi një protestë para Kuvendit.
Për të analizuar situatën politike të krijuar në Kuvend dhe jashtë tij, në emisionin “MCN Informacion” ishin të ftuar sekretarja për Ekonominë në PD, Blerina Gjyriqi, avokati Gentian Serjani dhe gazetari Masriglen Kume.
Ata analizuan zhvillimet e ditës, duke theksuar se votimi kundër kërkesës së SPAK ishte i pritshëm, pasi sipas tyre, rënia e Ballukut mund të kishte pasoja për të gjithë qeverinë.
Blerina Gjyriqi:
Në fakt, këtë rezultat e kam parashikuar që kur u mbajt mbledhja e Grupit Parlamentar të PS. Që aty u diktua se nuk do të kishte vota kundër dhe se votimi do të ishte unanim.
Ne jemi mësuar që i gjithë grupi i Ramës të rreshtohet dhe të bëjë atë që i kërkon kryeministri. Kështu që nuk prisja ndonjë ndryshim, pavarësisht protestës së opozitës.
Ne po përpiqemi me të gjitha mekanizmat institucionalë t’i dalim kundër kësaj situate.
Ishte e pritshme, sepse Belinda Balluku shihet nga rezultatet dhe nga pozicioni që ka, si një figurë që Rama e ka të pamundur ta lëshojë. Nëse ajo bie, mund të tërheqë pas edhe gjithë qeverinë.”
Gentian Serjani:
Situata e sotme i shkon për shtat një fjale të urtë që kemi që nga koha e komunizmit: ‘Votat tona plumb për armikun’.
Në këtë rast, ‘armiku’ ishte drejtësia e re, e cila është një investim ndërkombëtar dhe që ishte edhe mburrja e fushatës elektorale të zotit Rama.
Ai thoshte shpesh: ‘Drejtësia është krijesa ime’, ashtu siç shprehet edhe për shumë gjëra të tjera. Por sot pamë se kur drejtësia afrohet pranë tij, ai nuk e quan më një arritje, por diçka që e pengon.
Sot ai ishte aty për ta penguar atë drejtësi që supozohet të na çojë drejt BE-së.
Kjo tregon se në thelb nuk ka pasur vullnet për një drejtësi të vërtetë, por më shumë për retorikë politike.
Gazetari Mariglen Kume komentoi edhe mungesën e deputetes Elisa Spiropali në votimin e sotëm në Kuvend dhe arsyet e mundshme të kësaj mungese.
Sipas meje, e vetmja gjë që mund të interpretohet si një lloj ‘kryengritjeje’ është mungesa e Elisa Spiropalit.
Unë parashikoj një fund të mundshëm të karrierës së saj politike në PS, jo vetëm për këtë episod, por edhe për zhvillime të mëparshme.
Kam informacione brenda PS-së, për krisje mes zonjës Spiropali dhe zotit Rama që disa muaj më parë, sidomos pas largimit të saj nga kabineti qeveritar.
Ai nuk ka qenë i kënaqur me punën e saj. Sipas burimeve, ajo jo vetëm që nuk ka bërë lobimin e duhur për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por madje ka folur edhe kundër disa qëndrimeve të qeverisë, përfshirë edhe kundër zonjës Balluku.
Në këtë kontekst, nuk përjashtohet që të ketë masa politike ndaj saj.
Ndërkohë, sa i përket deputetëve Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja, mungesa e tyre në votim u justifikua me faktin se ndodheshin jashtë vendit.



