
Glauk Konjufca është zgjedhur sot kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës dhe është votuar pro nga 69 deputetë, ndërsa 33 të tjerë kanë votuar kundër. Sipas Kushtetutës Konjufca do të jetë po ashtu ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës.
Për të diskutuar lidhur me këto ngjarje të ditës në Kosovë foli sot përmes një lidhje Skype në edicionin e lajmeve të MCN TV, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Siç u shpreh ai për MCN TV kur vendi dështon të zgjedhë presidentin, atëherë shkohet në zgjedhje, ndërkohë që shtoi se ekziston rreziku që vendi të mbesë në vakum institucional për shkak se Kuvendi ka kaluar afatin për 6 muaj për të zgjedhur presidentin e ri.
Intervista e plotë e Albert Krasniqit për MCN TV:
Krasniqi, me votimin si Kryetar Kuvendi, si e parashikon Kushtetuta e Kosovës rolin e Glauk Konjufcës, a do të jetë njëkohësisht edhe Ushtruesi i Ri i Detyrës së Presidentit, deri në zgjedhjet e presidentit të ri?
Krasniqi: Kushtetuta e Kosovës ka parashikuar se në rast se posti mbetet vakant është kryetari i Kuvendit ai që mbetet në detyrë në mënyrë të përkohshme. Duke qenë se mandati i Osmanit ka përfunduar dhe ka përfunduar edhe detyra e saj. Tashmë i mbetet kryetarit të ri të Kuvendit të marrë detyrën.
Deri kur, pra në cilin afat, kryeparlamentari i ri mund të jetë Ushtrues i kësaj detyre?
Krasniqi: Deri më 5 maj mund të ushtrohen detyrat dhe pas këtij momenti nuk është parashikuar se çfarë do të ndodhë. Kur vendi dështon të zgjedhë presidentin, atëherë shkohet në zgjedhje.
A do të prodhohet vakum kushtetues në përzgjedhjen e Presidentit të ri?
Krasniqi: Rreziku është të mbesim me një vakum institucional për shkak se Kuvendi ka kaluar afatin për 6 muaj për të zgjedhur presidentin e ri.
A e përjashtoni zgjedhjen e një ngërçi?
Krasniqi: Shpesh në Kosovë ka pasur ngërçe, por po shpresoj që kësaj radhe të mos kemi probleme të tilla. Duhet të shohim nëse Vjosa Osmani do të arrij të jetë presidente pa dallime partiake dhe pa mbështetje. Nëse ajo zotohet për diçka të tillë ne nuk do të hyjmë në ngërçe.
Si mund të jetë formula e Zotit Kurti për zgjedhjen e qeverisë?
Krasniqi: Është hera e parë që një parti siguron shumicën e nevojshme dhe Kurti besoj do ta ketë më të lehtë të vendosë për emrat të cilët mund të mos jenë shumë të pëlqyer brenda subjektit, por janë të formuar. E mira do të ishte të kishim një përfaqësim të madh të grave dhe jo më shumë se 15 persona në qeveri.



