Një konflikt i ndodhur në lagjen nr. 15, në Spitallë të Durrësit, ka përfunduar me dy persona të plagosur, të cilët janë dërguar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gazetarja Ervina Garo raportoi për “MCN Live” se gjatë sherrit, njëri prej personave të përfshirë ka pasur me vete një armë zjarri dhe ka goditur njërin nga të tjerët me tytën e saj.
Katan Kaçaniku ka plagosur një person tjetër, ndërsa konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe ka degraduar në përdorimin e sendeve të forta.
Nga ana e Kaçanikut është qëlluar me një fishek manovër në ajër. Ndërkohë nga goditjet me sende të forta ka mbetur i plagosur Ben Xhani dhe një person tjetër.
Bëhet me dije se autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar në komisariatin e policisë Durrës për të dhënë shpjegimet e rastit.
Dyshohet se autori i dyshuar ka qenë i pajisur me armë zjarri dhe ka qëlluar në ajër me një fishek manovër.
Policia njoftoi zyrtarisht se: "Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 08:30, se në lagjen nr. 15, dyshohet gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi K. K., 37 vjeç, kishte goditur me sende të forta, shtetasit B. Xh., 66 vjeç dhe A. Xh., 61 vjeç (kushërinj), shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K..
37-vjeçari dyshohet gjithashtu se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër, me armë me fishekë manovër. Arma u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, dy të dëmtuarit po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.



