Emiljano Shullazi nuk do presë afatin prej 48 orësh për t’iu përgjigjur operacionit Forca e Ligjit për pasurinë e tij. Pa u kujdesur të ruajë konfidencialitetin e të dhënave të pasurisë që do të pasqyrohen në formularin që do i dorëzohet OFL-së, avokati i Shullazit thotë në një lidhje telefonike për TvT se pasuria e klientit të tij është modeste.
Vladimir Meçe, avokat: “Patjetër që do t’i përgjigjet. Nuk ka pasuri të kundraligjshme apo të vendosura me mjete të kundraligjshme si pasojë e veprave penale etj., etj. E shumta që ka ai është një banesë, ndërsa pjesa tjetër, kjo për të cilën po vazhdon edhe gjyqi tash e katër vjet, gjyqi s’ka mbaruar akoma, megjithatë do të japë përgjigje brenda afatit që ata kërkojnë.”
Sipas avokatit Vladimir Meçe, Emiljano Shullazi e ka kaluar me kohë testin e ligjshmërisë së pasurisë me ligjin “Antimafia”, ndërsa aksionin e ndërmarrë nga Operacioni Forcë e Ligjit e quan dublim që policia i bën kompetencave të organeve të reja të drejtësisë.
Vladimir Meçe, avokat: “Është një show që nuk i shërben, do të thosha as luftës kundër krimit dhe në rastin konkret as procesit për të cilin Shullazi po gjykohet. Mendoj që ka një mbivendosje të aktivitetit të veprimtarisë së policisë me atë të gjyqësorit dhe të prokurorisë që në një shtet ligjor nuk duhet të ndodhë.”
Ndaj Emiljano Shullazit vijon beteja ligjore në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi vitin e shkuar ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor atë dhe bandën e drejtuar prej tij, me akuzën e kanosje për dhënien e pasurisë dhe krijimin e grupit të strukturuar kriminal.



