Deputetja e PD Ilda Dhori tha në një lidhje skype për MCN TV se opozita kërkoi që të shmangte aktrimin e Beqajt në komisionin hetimor për sterilizimin, si dhe të merre si dëshmitarë Vilma Nushin dhe Edi Ramën. Sipas Dhorit pa dëshminë e Nushit dhe Ramës është e pamundur që komisioni të ketë produkt final.
“Që në krye të herës shumica e kanë bllokuar listën tonë të dëshmitarëve. Vilma Nushi dhe Edi Rama kanë qenë ndër dëshmitarët kyç. Diskutimi në gjithë komisionin ishte rreth faktit që deputetët e mazhorancës donin që Beqaj të vinte aty dhe të aktronte me power point, piktura, kuti metalike. Ndërkohë që kërkesa e deputetëve të opozitës ishte që të bëhej zbardhje e aferës dhe të pyetej Beqaj, si dhe Vilma Nushi dhe Edi Rama. Nushi është përfituese dhe pronare faktike e këtij koncesioni. Shumica s’e pranonte kërkesën. Kërkuam që Beqaj të shmangte aktrimin dhe të përfshinim në listë Ramën dhe Nushin. Beqaj as s’u kontrollua nga Garda se çfarë sendesh të forta futi në komision. Rama është koka dhe përgjegjësi kryesor për mënyrën si janë zhvatur paratë përmes koncesionit. Është e pamundur të kemi produktin e duhur final, dhe të arrijmë qëllimin e komisionit, nëse nuk dëshmojnë Nushi dhe Rama. Këta dy individë shumica i kishte vija të kuqe, që as emri s’duhet t’ju përmendej, jo më të vinin në komision”.
Ajo shtoi se do të përpilohehet raporti dhe do të dërgohet në SPAK. Dhori thekson se kanë dalë fakte të reja si janë përdorur burimet financiare, sa është investuar dhe ku është investuar.
"Ka zinxhire investimesh që përfundojnë në një rrjet kompanish pafund, që në fund të çojnë te të njëjtët persona të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo është skemë e rëndomtë në qeverinë Rama", tha ajo.



