
Gjysma e qytetit të Sarandës dhe një pjesë e Ksamilit kanë mbetur rreth 10-11 orë pa energji elektrike për shkak të një avarie të sistemit elektrik. Të gjitha strukturat akomoduese, hotelet, apartamentet përveçse pa drita janë përballur dhe me mungesën e ujit. Jolio Dine, anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se kjo situatë është krijuar për shkak se rrjeti është i amortizuar dhe se duhet të bëhen investime që situata të tilla mos të përsëriten më. "Qyteti i Sarandës dhe Ksamili që prej pasdites janë përballur me avari të stërzgjatura që ka nisur me ndërprerje të vogla nga dreka dhe fillimi i pasdites duke vijuar më shpërthime të kabujve. Në Ksamil ka pasur dhe shpërthim në kabullin 20 kilovolt. Dhe në Sarandë ka pasur shpërthime. Kjo ka rrezikuar dhe banorët dhe qytetarët që kalonin në rrugë, se në një rast ka pasur shpërthim zjarri në një kryqëzim që kalojnë shumë automjete dhe shumë qytetarë. Janë marrë masa nga OSHEE. Por masat duhet të ishin marrë para se të ndodhte kjo ndodhi ditën e djeshme. Lagjja nr.4 në Sarandë është gdhirë pa energji, 10-11 orë. Para një ore është kthyer energjia. Lagjja numër 4 ka shumë struktura hotelerie, përveç dritave mungonte dhe uji, por dhe shumë qytetarë mund të kenë mbetur në ashensorë. Rrjeti është i amortizuar, jashtë burimeve zyrtare, apo siç flasin specialistët është i amortizuar, rrjeti nuk mban. Dikush e lidh me temperaturat. Por temperaturat dhe ngarkesat duhet të ishin parashikuar. Saranda nuk e përballon dot dhe ndodhi ajo që ndodhi. Rrjeti është i amortizuar dhe specialistët e fushës janë të pamjaftueshme për Sarandën. Dikur ka qenë më vete Saranda, por tani këtu ka mbetur vetëm një sektor i vogël dhe është në varësi të Gjirokastrës Tani që ka më shumë banorë e fluks turistik është një institucion i vogël me pak specialistë. Duhet të kthehen sytë nga Saranda sa i përket menaxhimit. Pjesa e investimeve është e pamjaftueshme dhe duhet investim më i madh".



