
Katër persona janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të atentatit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrilë të Lezhës.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se “rezulton se si të dyshuar në këtë ngjarje janë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.”
Atentati ndodhi mbrëmjen e djeshme në një berberhanë në zonën e Rrilës, ku mbeti i plagosur me 4 plumba berberi Sokol Daci, i cili mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Policia bën me dije se atentati ishte planifikuar ndaj 20-vjeçarit Merando Nikulaj, nip i familjes Nikulaj, por për shkak të ngatërrimit të shënjestrës, plumbat kapën berberin.
Në momentin kur u hap zjarr ndaj biznesit, dyshohet se Sokol Daci ishte duke e qethur Merando Nikulajn. Nga të shtënat me armë zjarri dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe vetë Merando Nikulaj.
Ndërkohë, ditën e sotme, me urdhër të Prokurorisë, është ndaluar një efektiv policie, shtetasi Besart Kovaçi, i cili akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Atentati që tronditi mbrëmjen e djeshme zonën e Rrilës dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi Merando Nikulaj është familjar i biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u vra më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin.



