
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi deputetin socialist, Taulant Balla, për lidhje me kriminelët. Gjatë seancës së sotme, Basha iu drejtua Ramës nga foltorja e Parlamentit, duke e pyetur nëse ka dijeni që deputeti i tij para një muaji ka qenë në Rumani me një prej personave të akuzuar nga Prokuroria e Elbasanit.
“Mjafton të kishe pyetur drejtorin tënd të Policisë se ç’ka bërë ky para një muaji me një nga të akuzuarit zyrtarisht nga Prokuroria e Elbasanit në Rumani”, tha Basha në Parlament duke iu referuar Taulant Ballës.
Basha nuk sqaroi nëse personi që ka qenë i shoqëruar në Rumani me Taulant Ballën është njëri nga të akuzuarit në Elbasan për çështjen e Orest Sotës apo ka lidhje me ngjarjen e 18 Shtatorit ku u godit makina e ish-drejtorit të Policisë së Elbasanit.



