“Vala e tretë në këto kushte është e sigurt. Jemi në një situatë serioze të qëndrueshme, na pret një dimër për të cilin duhet të shqetësohemi". Kështu shprehet mikrobiologu Andrea Crisanti, i cili thotë se në këto kushte duhet gjetur një kompromis mes shpëtimit të ekonomisë dhe mbrojtjes së shëndetit të popullatës.
“Paradoksalisht, një rajon i përgatitur nga pikëpamja shëndetësore miraton masa më të buta dhe lejon qarkullimin më të madh të virusit. Në fund të kësaj përvoje, treguesit e këtyre fushave duhet të rimendohen. A është qëllimi ruajtja e aktivitetit ekonomik apo mbrojtja e shëndetit? Ne duhet të gjejmë kompromisin e duhur”, vazhdon ai.
Crisanti parashikon që numri i vdekjeve të rritet.
“Do të kalojnë muaj para se vaksina të ketë efekt, një dimër shqetësues na pret. Italia në fund të javës së ardhshme do të jetë vendi me më shumë vdekje në Evropë dhe kjo nuk është diçka për t’u krenuar. Krishtlindjet, me shkolla të mbyllura dhe fabrika me ritëm të reduktuar, duhet të përdoren për të zvogëluar infeksionet", thotë ai.
Ai thotë se me rihapjen e shkollave dhe aktiviteteve të prodhimit, virusit i është dhënë mundësia të përhapet sërish dhe infeksionet kanë shpërthyer. “Pas verës kishim një situatë të menaxhueshme, një mundësi që e patëm në dorë dhe e lamë të ikë”, thotë ai.
Crisanti është ndër mikrobiologët më të njohur në Itali dhe profesor në Universitetin e Padovës. Në janar të këtij viti, ai ishte ndër të parët që doli kundër udhëzimeve të OBSH-së, e cila në atë kohë rekomantonte vetëm testimin e atyre që kishin simptoma. Crisanti u pagëzua nga mediat si “kasandra e Italisë” pasi ngulte këmbë se asimptomatikët e përhapin virusin njësoj si të tjerët.



