Ka nisur me debate dëshmia e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në komisionin hetimor për inceneratorët. Ndërsa është pyetur për njohjen me Mërtirin, Zoton dhe Gugalljan, Veliaj tha se është informuar për udhëtimet e këtyre të fundit me Gert Bogdanin në Zimbabve.
Tabaku pretendon se Veliaj në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore ka dhënë miratimin për projektin e inceneratorit të Tiranës, në një kohë kur kjo kompetencë i takonte Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Por Veliaj këmbëngul se nuk mund të pyetej Këshilli Bashkiak për një pronë që nuk e ka. Gjatë replikave Tabaku e akuzoi Veliajn se po gënjen dhe po jep dëshmi të rreme.
DISKUTIME
Tabaku: Njiheni me shtetasit, Mirel Mërtriri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja?
Veliaj: I kam parë në fotografi me Gert Bogdanin që ka qenë drejtues për Marrëdhënie me Jashtë në PD.
Tabaku: Nuk keni bërë udhëtim me Mërtirin, Zoton, Gugalljan? Nuk i njihni në asnjë marrëdhënie tjetër?
Veliaj: Nuk kam bërë asnjë udhëtim, por jam informuar për udhëtimin e tyre në Zimbabve me zyrtarë të PD-së.
Tabaku: Nuk keni kryer asnjë takim, komunikim, biseda telefonike në lidhje me kontratën?
Veliaj: Nuk kam bërë asnjë diskutim, asnjë udhëtim. Jam njohur nga mediat për udhëtimet e këtyre personazheve me drejtues të Marrëdhënieve me Jashtë në PD që ata kanë qenë në Zimbabve me zyrtarët e PD.
Tabaku: Kontrata në Zimbabve nuk është objekt i këtij komisioni. Ju kujtoj që dëshmia e rreme është vepër penale.
****
Veliaj: Keni spekuluar, se e kuptoj që unë betohem. Po ju betoheni?!
Tabaku: Më lejoni të përfundoj setin e pyetjeve. Dëshmitar, fokusohuni te pyetjet! Sipas nenit ju nuk e keni këtë kompetencë që keni firmosur. Është kompetencë e Këshillit Bashkiak.
Veliaj: Kjo që po bën është e pandershme!
Tabaku: Nuk më bën dot pyetje mua. Mos prishni mbledhjen!
Veliaj: Kam kaq muaj që thoni që jam përgjigjur në emër të qarkut. Keni gënjyer në mënyrë sistematike. Mos bëj zhurmuesen!
Tabaku: Gjithmonë zhurmuesin jeni dalluar që e bëni ju. Është e pandershme kjo. Prona ku shtrihet landfilli i Sharrës a është në pronësi të bashkisë?
Veliaj: Kjo pronë është në pronësi shtet. Është e qeverisë jo e bashkisë. Nuk mund të pyetet Këshilli Bashkiak për një pronë që nuk e ka. Ka një vendim të Këshillit Bashkiak. I jam përgjigjur një shkrese të ministrisë së Mjedisit.



