Një vajzë 15 vjeçe ka ndërruar jetë në spitalin “Continental”. Burime të sigurta bënë të ditur për TemA TV se ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht në ambientet e këtij spitali privat që ndodhet në rrugën “Ali Demi” në Tiranë.
Të njëjtat burime bëjnë të ditura se e mitura po kurohej atje për shkak të një problem në ligamentin e këmbës, kur edhe ndërroi jetë papritur. Një fakt tepër tronditës është edhe ai i heshtjes së këtij spitali, përfaqësuesit e të cilit nuk kanë bërë të ditur asnjë njoftim për shtyp. Mësohet se Blerta Pepa ka pësuar një incident gjatë orës së Fiskulturës, ku ka këputur ligamentin e këmbës, gjë që ka detyruar prindërit ta çojnë me urgjencë në spital, pas dhimbjeve të forta që kishte. Operacioni për meniskun e këmbës është kryer nga 2 mjekë të huaj, gjithçka ka shkuar shumë mirë.
Por kur pritën që 15-vjeçares t’i dalë anestezia ajo ka pasur komplikacione të brendshme, duke kaluar në gjendje të rëndë e më pas ndërroi jetë. Dyshohet se vajzës t’i jetë injektuar më shumë anestezi se sa ishte norma. Fill pas ngjarjes mjeku 53-vjeçar, anestezisti që e asistoi ka tentuar vetëvrasje dhe është në gjendje të rëndë për jetën. Sakaq, policia ka shoqëruar mjekët që kryen operacionin për t’i marrë në pyetje si dhe kanë sekuestruar kartelën mjekësore të adoleshentes.



