
Pastori Akil Pano deklaron se për shkak të prishjes së hierarkisë së rregullave, mungesës së ndëshkueshmërisë, ku gjithçka blihet dhe shitet, paraja është duke zëvendësuar njeriun.
Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai u ndal te shpopullimi, ku tha se veçanërisht që nga viti 2013 jemi duke u përballur me eksodin më të madh të shqiptarëve, për shkak të mungesës së meritokracisë, pandëshkueshmërisë, vrasjes së shpresës dhe politikave josociale.
Të ashtuquajturit barinj të këtij populli, udhëheqësit politikë, nuk kanë menduar të kujdesen, ose thënë shqiptarçe të kullosin si duhet grigjën, por janë kujdesur që të kullosin veten e tyre.
Nga viti 1991 deri në 1993, mirëkuptohej ideja e ikjes se gjithçka që trashëguam, humbi vlerat.
Në vitet 1997-1998 ishim në gjendje lufte. Në vitin 1999 kur u pritëm shqiptarët e Kosovës, një pjesë përfituan për tu strehuar në Europë si kosovarë.
Sot mendoj se është dhimbja që i çon njerëzit të largohen.
Arsyeja thelbësore në lupën time është e dyfishtë: së pari dështimi ynë si komb si popull për të ndërtuar njeriun e vlerave dhe së dyti keqqeverisja.
Pastor Akil Pano shtoi se Krishti thotë se një shtëpi që është e ndarë në vetvete nuk mund të qëndrojë, duke iu referuar të djathtës shqiptare që nëse do e mbante parasysh, atëherë vendi do të kishte opozitë.



