Pak javë më parë kompania ndërkombëtare e filmave për fëmijë, Disney shfaqi filmin vizatimor “Strange World”.
Alarmi për ardhjen e tij në Shqipëri nisi përpara se kinematë ta shfaqnin këtë film. Në 19 nëntor në rrjetet sociale imami Ahmed Kalaja shkroi :
“Filmi Strange World do të shfaqet pas pak ditësh në kinematë shqiptare.. Personazhi kryesor ka prirje homoseksuale duke ua servirur fëmijëve për ti drejtuar drejt saj. Largojini fëmijët nga shfaqje të tilla, bojkotojini sallat e kinemave!”
Pak ditë më pas u mblodh edhe Koalicioni për Mbrojtjen e Familjes dhe Jetës:
“Në kinemanë Millenium do të jetë ky film, i cili nuk ka asnjë të dhënë në gjuhën shqipe që ka këtë përmbajtje. Pra, është një kurth për prindërit që shkojnë gjithë qejf të çojnë fëmijën të shohin një film të bukur”-u shpreh Altin Goxhaj.
Gjithashtu pati reagim edhe nga Partia Demokratike, ku Bislim Ahmetaj u bëri apel prindërve dhe mësuesve që t’i mbajnë larg fëmijët nga ky film.
Por çfarë ndodhi pas BOOM-it të deklaratave kundër transmetimit të këtij filmi në Shqipëri? Shumë media online publikuan lajmin se filmi u anullua apo u shty në disa kinema.
“Xhadat” u interesua pranë kinema Millenium, ku sportelistja u shpreh se filmin nuk e kanë transmetuar ndonjëherë, ndërsa ky film po shfaqet momentalisht në rrjetin e Cineplexx.
Ajo që bie në sy është fakti se në faqen online të Cineplexx, të gjithë titujt e filmave janë në gjuhën të huaj, ndërsa në rastin e “Strange World” titulli është përkthyer në gjuhën shqipe, si “Botë e Mrekullueshme”.
Pas titullit të shqipëruar të filmit, duket se fshihet frika nga zhurma e madhe që shkaktoi përmbajtja e tij në opinionin publik.



