Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin që qëlloi me armë zjarri në drejtim të një automjeti në Shkodër, ku ndodheshin boksieri Arjon Kajoshi dhe 4 persona të tjerë. Dyshohet se ngjarja lidhet me një konflikt të ndodhur në qershor, kur një 62-vjeçar u rrah nga 5 persona të shpallur në kërkim, mes të cilëve është edhe emri boksierit Kajoshi. Kujtojmë që mesditën e sotme u qëllua me rreth 4 plumba në drejtim të “Range Rover”-it. Dyshohet se shënjestër ishte pikërisht boksieri Arjon Kajoshi. Automjeti është në pronësi të babait të tij Sokol Kajoshi.
NJOFTIM
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta hetimore e profesionale në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar që qëlloi me armë drejt një automjeti që drejtohej nga shtetasi A.K, (djali i pronarit të automjetit). Vijojnë kontrollet në terren dhe ambiente të ndryshme për kapjen e autorit. Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, se në lagjen "Partizani" u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit "Land Rover" në pronësi të shtetasit S.K., të cilin e drejtonte djali i tij shtetasi A.K, ju bëjmë me dije se: Falë reagimit në kohë e veprimeve profesionale në vendngjarje është bërë identifikimi i autorit dhe shpallja në kërkim e tij, konkretisht shtetasit A. B. Shërbimet e Policisë po ushtrojnë kontrolle në terren dhe ambiente të ndryshme për të bërë të mundur kapjen e autorit. Nga veprimet e para në vendngjarje dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve të mëparshme. Sqarojmë se shtetasi A.B nuk është në kërkim nga Policia për konfliktin e ndodhur më datën 3 qershor 2024. Shtetasi A.B, pas kërkimit policor është kapur nga Policia dhe ka dhënë deklarim në lidhje me konfliktin e ndodhur. Pas konsultimit me Prokurorin, ky shtetas është proceduar penalisht dhe ndiqej në gjendje të lirë. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.



