
Sot në Tiranë, BE po mban prezantimin e programit ‘EU4LEA’; 'Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri’ të financuar nga BE për sigurinë.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann, nga konferenca ku po prezantohet programi i unionit për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, ka deklaruar se Shqipëria duhet të tregojë një udhëheqje të fortë politike kur bëhet fjala për drejtësinë.
Ajo solli në vëmendje se negociatat e hapura për Shqipërinë janë një arritje, por vendi duhet të punojë me disa pika në kapitullin për sundimin e ligjit.
Së pari ambasadorja deklaroi se do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, pra a ka funksionuar apo jo procesi i vetting-ut.
Së dyti ajo solli në vëmendje monitorimin nga afër të historikut të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Hohmann shtoi se do të duhet një angazhim në vijim për luftën ndaj kanabisit dhe një bashkëpunim me agjencitë evropiane të zbatimit të ligjit si Europol dhe Eurojust.
Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së.
Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore.
Së pesti; zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta.
Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme në këtë përpjekje, prandaj jemi këtu. Ky projekt për zbatimin e ligjit është këtu. Sipas këtij projekti shtete anëtare janë të gatshme për të bashkuar forcën që të japin ekspertizën e duhur. Duhet të punojmë së bashku për një Shqipëri më të sigurt.
Shqipëria duhet të dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi te angazhimi juaj i plotë. Në një botë që është gjithnjë edhe më e turbullt bashkëpunimi në fushën e drejtësisë duhet të jetë më i fortë. Kjo kërkon edhe një dialog të fortë në nivelin politik.
Në 3 dhe 4 nëntor Tirana do të mirëpresë takimin ministerial mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është shprehur se pa ezauruar kapitullin 24, Shqipëria nuk mund të ecë me kapituj të tjerë.
Projekti i ri i bashkëpunimit me BE-në është momenti për të shënuar që ne lëvizim tani në një ligë tjetër, është fillimi i aderimit të Shqipërisë në BE.
Projekti merr një rëndësi të veçantë sepse do të na shoqërojë ne në një proces shumë të rëndësishëm, të ndërlikuar siç është procesi i negociatave me BE-në. këtu kapitulli 24 i kontratës sonë me BE-në është një nga shtyllat kryesore të kësaj kontrate.
Dua ta theksoj këtu sepse ka rëndësi që pa u mbyllur kapitulli 24, Shqipëria nuk mund të ecë me kapituj të tjerë. Jam i kënaqur që në këtë moment vjen edhe etapa e re e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së në asistencën që ofron për agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë”.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, e ka cilësuar nisjen e punës së projektit në një moment të rëndësishëm të implementimit të reformës në drejtësi, atij të konsolidimit të institucioneve të reja apo të atyre të rikonceptuara prej saj.
Fokus jonë kryesor që do të kërkojmë mbështetjen nga misioni do të jetë struktura jonë e policisë gjyqësore, ku do të veçoja zgjerimin e kapaciteteve të tyre, veçanërisht në seksionet e specializuara për krimet financiare dhe të pastrimit të produkteve të veprës penale, por edhe të oficerëve që kanë hyrë në sistem.
Një aspekt tjetër i bashkëpunimit do të ishte forcim i kapaciteteve të prokuroreve dhe oficerëve të policisë gjyqësorë në drejtim të rritjes së efikasitetet në hetimin e krimeve mjedisore, që është një nga prioritetet e punës së këtij viti.
Në përvojën që kanë institucionet tona, ka ende shumë për të bërë. Ajo që konstatohet është një mungesë e vëmendjes duke pasur parasysh edhe morinë e shqetësimeve që institucionet përballen cdo ditë.
Por më vjen mirë që një nga pikat që misioni kishte prioritetin e vet ishin edhe krimet mjedisore. Do të keni mbështetjen tonë dhe do presime asistencë.
I ftuar në takim ishte edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja, i cili deklaroi se kriminaliteti në Shqipëri, kërkon një reagim të fuqishëm të institucioneve.



