Qeveria franceze ka urdhëruar një hetim pasi një studim i kryer nga autoritetet shëndetësore gjeti se një përbërës i përdorur në pastën e dhëmbëve, disa ëmbëlsira dhe çamçakëz shkaktoi kancer te minjtë e laboratorit.
Studimi tregoi se elementi i njohur si E171 kalon barrierat e stomakut dhe arrin në pjesët e tjera të trupit.
E171, ose ndryshe dioksidi i titaniumit, përdoret për zbardhje, por gjendet edhe në ëmbëlsira, çokollata, çamçakëz apo suplemente ushqimore.
Rezultatet e studimit të kryer nga Agjencia Franceze për Ushqimin, Mjedisin, Sigurinë dhe Shëndetin u publikuan në revistën “Nature”.
Studiuesit vunë re se minjtë, të cilëve iu dhanë doza të rregullta të dioksidit të titanit nëpërmjet ujit, për një periudhë prej 100 ditësh, zhvilluan lezione kancerogjene në zorrën e trashë në 40 për qind të rasteve.
Autorët e studimit thonë se dioksidi i titanit është i rrezikshëm sidomos për fëmijët, të cilët i pëlqejnë ëmbëlsirat.
Rezultatet treguan se E171 incion dhe nxit fazat e hershme të tumorit të zorrës së trashë te minjtë e laboratorit, çka e bën një rrezik potencial edhe për njerëzit.
Hetimi mjekësor i autoriteteve franceze mbi këtë rast pritet të japë një përgjigje përfundimtare në mars të këtij viti.
Ndërkohë FDA-ja amerikane (Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve) e ka përcaktuar kufirin e padëmshëm të elementit E171 në masën 1 % e peshës së produktit.
Por ky informacion nuk është përditësuar që nga viti 1966. / RT / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



