
Dy komikët rusë, Vladimir Kuznetsov (Vovan) dhe Alexei Stoljarov(Leksus), kanë vënë në “lojë” edhe kryeministrin e Republikës së Kosovës. Njëri nga ta i është paraqitur kryeministrit Ramush Haradinaj në emër të ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, duke i thënë se pas zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës në shkëmbim të mbështetjes së Haradinajt.
Komikët rusë e kanë telefonuar dy herë kryeministrin Ramush Haradinaj, një herë në janar dhe një herë në prill.
Në këtë bisedë telefonike të publikuar në youtube nga ‘Russia 24 tv’, Haradinaj i premton mbështetje ‘Poroshenkos’, duke i thënë se do ta përkrahë publikisht përmes llogarisë së tij në tëitter.
“Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për ju, dhe jam i lumtur që mund t’iu uroj sukses për të dielën. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetin, do të lutem për ju në të gjitha zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj gjatë bisedës me njërin prej komikëve rus, e për të cilin pretendonte se ishte Poroshenko, shkruan Gazeta Express.
Ndërkohë pas fjalëve të Haradinajt, “Proshenko”, i ka kthyer përgjigje duke i thënë se pas fitores do ta pranojë Kosovën si një shtet të pavarur.
“Po, dhe mendoj që pas fitores, unë do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur”, i është përgjigjur komiku rus.
Pas kësaj bisede të zhvilluar, Haradinaj i rënë në grackë ka publikuar një status në twiterin e tij ku i ka uruar fitore në zgjedhje Petro Poroshenkos dhe kryeministrit të tij ‘Vovan Lexusov’.
Ndërkohë dje përmes një konference për media Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte pranuar se ka pasur bisedë telefonike nga një linjë e hakuar me dy komikët rusë, por ai tha se biseda e tyre nuk kishte diçka specifike pasi dihen qëndrimet e tij për Kosovën dhe për këtë nuk është bërë shumë publike.
“Me presidentin Petro Poroshenko kam fol, por edhe me komikët pastaj. Një ose dy biseda kam pas me të nga një linjë e sigurt. Ndërsa, ka ndodhë një bisedë nga një linjë e hakuar, që kanë thirrë prej tij. Për fat të mirë biseda ime nuk ka dalë nga shablloni dhe nuk e kanë publikuar”, ka thënë dje Haradinaj.



