
Gjashtë vite pasi vetingu në sistemin e drejtësisë u miratua në Shqipëri, tashmë do të nisë edhe në Kosovë. Amendamentet kushtetuese në kuadër të këtij procesi pritet të shkojnë në Kuvend, pasi kryetarit Glauk Konjufca iu dorëzua dosja nga kryeministri Albin Kurti.
Megjithatë, vetingu në Shqipëri nuk po shihet si modeli më i mirë në Kosovë. Në një lidhje Skype me MCN TV, gazetari Zekirja Shabani tha se më e rëndësishme sesa drafti, është mënyra sesi do të realizohet ky veting.
Është e domosdoshme të ndodhë vetingu në drejtësi. Por mbetet të shihet si do të realizohet. Ajo që kemi parë në Shqipëri nuk është shembulli më i mirë për t’u realizuar në Kosovë.
Jemi dëshmitarë të dhunimit të 11-vjeçares, jemi dëshmitarë të pandëshkueshmërisë së lartë. Mënyra si do të bëhet vetingu duhet të jetë kushtetuese fillimisht dhe në harmoni me kërkesat e ndërkombëtarëve.
Shabani tha se drafti parimisht gëzon dakordësinë e të gjitha palëve politike.
Deri më tani ka pasur deklarime të përfaqëuesve të partive të ndryshme që e përkrahin vetingun. Nuk besoj se do të ketë kundërshtim nga ndonjë parti politike që vetingu të bëhet.
Vetingu duhet të ndodhë dhe ka përkrahje në parim të gjitha aktorëve.



