
Sipas analisti Vehap Kola një konservator shqiptar është tipik patriot që ka një vlerësim për të shkuarën tradicionale. I ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV Kola tha se konservatorët kanë preferencë më të madhe për monarkinë, ndërkohë që shtoi se PD ka përfaqësuar shumë pak konservatorizmin në Shqipëri.
“Një konservator shqiptar është tipik patriot që ka një vlerësim për të shkuarën tradicionale dhe jo komuniste, për të gjitha institutet e Shoqërisë shqiptare si familjen, fenë, kodet zakonore, fiset dhe monarkinë. Konservatorët kanë preferencë më të madhe për monarkinë. Sidomos për monarkinë. Monarkia në Shqipëri pati një mbyllje tragjike ashtu si dhe vetë jeta e njeriut që në fund është tragjike. Mendoj që PD ka përfaqësuar shumë pak konservatorizmin në Shqipëri. Është e dallueshme që PD ka pasur gjithmonë profil patriotik”, tha Kola.



