
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur non grata një zyrtar të UNMIK-ut në vend ka shkaktuar përplasje me OKB-në. Të premten, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla njoftoi vendimin për shpalljen non grata të një zyrtari të UNMIK-ut me kombësi ruse. Vendimi u motivua me veprime që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues, që sipas MPJ-së zyrtari rus i ka ndërmarrë.
Mediat e Kosovës raportuan se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili u shpall “persona non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.
Por ky vendim ka sjellë reagimin e OKB-së, e cila është shprehur përmes zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric. OKB-ja e konsideron të pazbatueshme “non grata”-n e Kosovës për zyrtarin rus.
“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në reagim.
Çdo çështje në lidhje me personelin e UNMIK-ut, sipas OKB-së, duhet t’i adresohet këtij Misioni që ta trajtojë vetë.



