
Gazetarja Ola Xama e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv u shpreh se Bashkia Tiranë nuk është thjesht një “kliente” e inceneratorit, pasi është ajo që siguron 90% të të ardhurave të inceneratorit të Tiranës. Sipas Xamës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka qenë në dijeni të çdo hapi për inceneratorin e Tiranës pasi ka qenë vetë ai që ka bërë të mundur zhbllokimin e fondit nga ministria e Financave.
“Nga të gjitha bashkitë e qarkut të Tiranës edhe nëse është klient, Bashkia e Tiranës është klient i 90% të të ardhurave të inceneratorit të Tiranës. Autoriteti që merret me menaxhimin e mbetjeve në territorin e kryeqytetit është Bashkia e Tiranës. Autoriteti i cili ka dërguar shprehjen e interesit që menaxhimi I mbetjeve të ishte një koncension i formulës së partneritetit publik privat është pikërisht zoti Veliaj. Po ashtu Veliaj është në dijeni të çdo korrespodence që Ministria e Mjedisit kur ka marrë rolin e autoritetit kontraktorë ka negociuar me kompaninë Integrated Energy. Bashkia Tiranës dhe Veliaj kanë qenë në dijeni edhe të përgjigjeve që i janë kthyer nga ministria e Financave. Ishte letra e Veliajt ajo që I hapi rrugë zhbllokimit të fondit.
Dy përfaqësues që sot janë në masën e arrestit me burg Naksi Mixhiu dhe Taulant Tusha ishin pjesë e grupit të negocimit të kontratës dhe kompaninë që u shpall fituese nga tenderi i Integrated Energy. Janë këta përfaqësues të bashkisë së Tiranës bashkë me 3 të tjerë që kanë nënshkruar kontratën për inceneratorin e Tiranës. Është këshilli bashkiak ai që miratoi planin e financimit. Është bashkia e Tiranës ajo që shtroi terrenin që Integred Energy që të fitonte 60 mln euro nga dherat, tarifa të padrejta, të paligjshme, pa asnjë bazë ligjore dhe me tarifa aq sa donte vetë koncensionari.”



