
Ajri i ndotur dëmton fertilitetin te femrat. Gratë që jetojnë në zona të ndotura i kanë në nivel më të ulët rezervat në vezore, çka do të thotë më pak folikula.
Studimi është kryer nga Universiteti i Modenës dhe Reggio Emilias në Itali dhe është botuar në revistën “Human Reproduction”.
Në funksion të tij janë analizuar të dhënat për periudhën 2007-2017 të 1318 grave që banojnë në provincën e Modenës, me moshë mesatare 38 vjeçe. Ato janë krahasuar me të dhëna të grave të njëjtës moshë, por me banim në Emilia Romagna, të ekspozuara ndaj faktorëve mjedisorë si temperatura, Pm10, Pm2.5 dhe dioksidi i azotit.
Rezerva e ulët e vezoreve lidhet direkt me infertilitetin. “Pavarësisht moshës, gratë që jetojnë në zona me ekspozim të lartë ndaj pluhurave janë trefish të rrezikuara për rezervë të ulët ovariane”, thonë studiuesit.
Ajo që i shqetësoi studiuesit është fakti se efekti i ndotjes së ajrit mbi fertilitetin femëror është vënë re edhe në një qytet të pastër si Modena, ku vlerat e Pm10 dhe pluhurave të tjera në ajër janë gjithnjë nën limitet europiane.
“Kjo do të thotë se edhe në një mjedis të pastër, doza e vogël e ndotjes në të cilën ekspozohemi ka një efekt të dëmshëm. Sa më i madh ekspozimi në ajrin e ndotur dhe rrjedhimisht grimcat e ngurta, aq më i madh efekti në organizëm”, thonë ata.



