Ekspert zgjedhor Andon Kume tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për t’i dhënë mandatin e deputetes të parës në listën e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Ana Dajko, afekton edhe vendimmarrjen për PSD-në e Doshit.
Sipas Kumes, me këtë vendim të Kolegjit bie poshtë edhe vendimi i KQZ për PSD-në. Kësisoj kandidatët e PSD-së do të duhet të marrin fillimisht mandatin dhe mandej të dorëhiqen për t’i lënë vendin listës së hapur.
Lidhur me vendimin për t’i dhënë mandatin Dajkos, Kume thotë se Kolegji nuk ka njohur dorëheqjet paraprake të kandidatëve të listës së mbyllur, pasi ata ende s’e kishin fituar mandatin.
“Është një vendim që konfirmon atë që ka vendosur KAS, që shkon në kundërshtim me vendimin e Celibashit. Të gjithë kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë një dorëheqje paraprake më 11 maj. Por një dorëheqje e dhënë në një moment të tillë, ku po dorëhiqesh nga diçka që ti akoma s’e ke marrë, s’është marrë parasysh nga kryekomisionëri. Në logjikën e tij ka vepruar duke konsideruar të vlefshme dorëheqjet që janë dhënë pas marrjes së mandatit. Kodi Zgjedhor s’shprehet fare për këtë moment kur një kandidat mund të japë dorëheqjen. Është e para në listë që do marrë vendimin nga kryekomisioneri. Duket sikur ka një përplasje mes kryekomisionerit dhe KAS-it, por ka dy mendime të ndryshme. Celibashi ndjek logjikën dhe thotë s’i jap mandatin dikujt që s’e do mandatin. Nëse Ana Dajko s’e do mandatin, mund të mos betohet dhe më pas mund të kalojë te nr.2 i listës. Ajo është bashkëjetuesja e Endri Shabanit që do vendosë, të marrë mandatin ose jo. Me këtë vendim të Kolegjit bie poshtë edhe vendimi i KQZ për PSD-në. Kryekomisioneri duhet të anulojë vendimin e tij të mëparshëm dhe të bëjë rishpërndarje të re të mandateve. PSD s’besoj se do ketë probleme me dorëheqjen e deputetëve të listë së mbyllur, vetëm se do marrë kohë. Ndërsa te Nisma Shqipëria Bëhet s’e kanë menduar kurrë se do ishte një deputet, por më shumë se dy”.



