
Ankaraja nuk do të ndikohet nga presioni i Kongresit të SHBA-së apo ndonjë zyrtari të tij për çështjen e shitjes së F-16, është shprehur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë një interviste para nisjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
I pyetur në një intervistë me Shërbimin e Transmetimeve Publike (PBS) për të komentuar rezervat e SHBA-së për shitjen, dhe veçanërisht për kundërshtimin ndaj marrëveshjes të shprehur nga kryetari me ndikim i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit të SHBA-së, Erdogan tha se “duket [Bob ] Menendez ka një qasje armiqësore ndaj Turqisë.
"Ai po përpiqet të na tërheqë drejt diskutimeve të caktuara sipas zgjedhjes së tij," shtoi Erdogan, duke folur përmes një përkthyesi, pa sqaruar se cilat mund të jenë ato diskutime.
"Ne nuk do të jemi pjesë e kësaj," tha Erdogan, duke shtuar se Menendez "nuk e njeh shumë mirë Turqinë" dhe "nuk duket se e njeh mirë as Tayyip Erdoganin".
Duke iu përgjigjur komentit të gazetares së PBS, Amna Naëaz se disa nga rezervat ndaj shitjes kanë të bëjnë me faktin se avionët luftarakë të prodhuar nga SHBA mund të përdoren kundër aleatit të NATO-s, Greqisë, Erdogan tha se "miqësia jonë me Greqinë nuk është ajo që ata mendojnë. .”
“Ne jemi miq me Greqinë prej shumë dekadash. Ne kurrë nuk kemi luftuar në kampe kundër njëri-tjetrit”, tha Erdogan, i cili do të takohet të mërkurën me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve midis dy vendeve.



