Dita arbëreshe çeli siparin pasditen e kësaj të mërkure, në vigjilje të Samitit të tretë të Diasporës në Tiranë.
Gazetarja e MCN TV, Blerina Goce u ndal me një përfaqësi arbëreshësh, të cilët ndanë opinionin e tyre për këtë nismë.
Kryetari i një komune arbëreshe, në rajonin e Pulias tha se ndihet i nderuar për praninë në Shqipëri.
Sa herë që vijmë ndihemi si në shtëpinë tonë. Jemi shumë të lumtur për mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj çështjes sonë.
Ky është vetëm një hap i parë që po bëjmë me qeverinë shqiptare për të ruajtur traditat tona në Arbëri.
Ndërkohë një gazetar arbëresh në Itali për “Gazzetta del Sud”, informoi se gjuha arbëreshe së shpejti do të flitet në televizionet italiane.
Ne shoqata arbëreshe kemi fituar kontratë me shërbimin publik në “Rai” dhe gjuha arbëreshe do të flasë në “Rai”.
Ndërkohë drejtuesi i shoqatës “Vatra” në Stamboll, Bora Zykali, foli për komunikim të mirë me zonat arbëreshe.
Erdhëm me vëllezërit arbëreshë për të festuar bashkë. Jemi shumë të kënaqur se kishin ardhur me një organizim të mirë, me shije, gatime të zonës së Arbërisë.
Kemi komunikim shumë vjeçar me të gjitha zonat arbëreshe. Ne shqiptarët e Turqisë në këto aktivitete marrin pjesë me kënaqësi.



