Pastrimi i parave në Shqipëri mbetet një shqetësim tepër serioz, që është ngritur si problem edhe nga institucionet ndërkombëtare. Sektori më i favorshëm për të ushtruar këtë veprimtari të jashtëligjshme, sipas ekspertit të ekonomisë Arben Malaj është ndërtimi. Malaj pohoi në studion e TEMA TV, se për ta ndaluar këtë fenomen duhen institucione shumë të forta për të bërë monitorime.
“Në të gjitha studimet ndërkombëtare, sektori më i favorshëm për pastrim parash, është sektori i ndërtimit. Unë nuk dua të abuzoj me këtë konkluzion, por nuk mund të rri pa paralajmëruar dhe pa tentuar të ngrë shqetësimet e opinionit publik që neve nuk na duhet thjesht të kemi sa më shumë ndërtime në vendin tonë, ne na duhen institucione sa më të forta, dhe instiucionet sa më të forta duhen mbrojtur nga korrupsioni dhe nga kapja e shtetit. Shqipëria, me të drejtë klasifikohet si një vend me institucione të dobëta, ku parimi bazë “chek and balance” nuk funksionon dhe risku është më i rritur se në vendet tjera që kanë një histori institucionale më të gjatë e më të plotë. Ne duhet të dallojmë një gjë, që ligjet i kemi bashkëkohore, ndërsa implementimin e kemi të dobët. Ne kemi ngritur institucione, por performanca e tyre nuk është ajo që duhet”, tha Malaj.
Ndërkohë që imazhi i vendi është tepër i ndjeshëm, marrë shkas edhe nga ngjarjet e fundit kriminale, ish-ministri i Financave, ka kërkuar nga klasa politike që të tregojë kujdes me bizneset e huaja që janë në vend, pasi kanë rol thelbësor për investimet e reja. Po ashtu Malaj, liston edhe një sërë problemesh që frenojnë investitorët.
“Investimet e huaja direkte, kërkojnë këtë ambientin e përgjithshëm të funksionimit, e drejta e pronësisë, pushteti i pavarur gjyqësor, administrata publike, dhe rruga më e mirë për ta promovuar ekonominë shqiptare, përveç takimeve që bëjnë qeveritarët tanë është biznesi aktual i huaj në vendin tonë”, tha ai.
Mirëpo, në një situatë kur duhet punuar, për të huajt rimbursimi i TVSH-së, mbetet zgjidhje emergjente për të mbajtur bizneset shqiptare në vend.
“Rimbursimi i TVSH-së për këto biznese është një gangrenë, e cila realisht qeveria nuk reagon, disa prej tyre janë duke menduar edhe të rialokojnë bizneset e tyre në Maqedoni apo Serbi, ku iniciativat fiskale janë të jashtëzakonshme”.
Malaj po ashtu ka komentuar edhe qasjen e bankave që ndjekin politika të shtrënguara për kreditimin e biznesit, duke e argumentuar me faktin se risqet e rritjes së kredisë me probleme janë tepër prezente, dhe kreditimi në masë i biznesit e rrit më tepër këtë mundësi.



