Disa orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretimin e Avdullah Hotit si mandatar për qeverinë e re, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai e cilëson vendimin përtej imagjinatës e nën çdo nivel logjik e juridik.
“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar. Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykates Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, tha ai.
Kurti shprehet se gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, sipas Kurtit, në anën tjetër, gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.



