
Nënkoloneli Omurbekov Azatbek Asanbekovich është ai që drejtonte trupat ruse përgjegjëse për masakrën e Buchës në Ukrainë.
Akuza vjen nga aktivistët e InformNapalm të cilët publikuan të dhënat personale të një prej “kasapëve”, siç i quajti presidenti ukrainas Zelensky, i cili më 31 mars u largua nga qyteti, duke lënë pas kufomat e civilëve në rrugë, në varre masive, civilë ukrainas të ekzekutuar, me një goditje në pjesën e pasme të kokës dhe duart e tyre të lidhura.
Identiteti i tij u zbulua në rrjetin social Telegram, i plotësuar me email dhe numrin e telefonit.
Asanbekoviç është komandant i njësisë ushtarake 51460, brigada e 64-të e armëve automatike. Në foton e bërë publike nga aktivistët e InformNapalm, ai shfaqet i ri, me kamuflazh, me një tank pas tij, buzë të plota, sy të zgjatur, pjesë e një pakice etnike me origjinë mongole nga Siberia.
Mundëm të gjenim adresën e shtëpisë së xhelatit rus. Çdo ukrainas duhet t’i dijë emrat e tyre. Mos harroni. Të gjithë kriminelët e luftës do të gjykohen dhe do të sillen para drejtësisë për krimet e kryera kundër civilëve ukrainas.
Kështu deklaruan vullnetarët e InformNapalm. Në listën e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, ushtarët identifikohen me gradën ushtarake, emrin dhe mbiemrin, datëlindjen dhe të dhënat e pasaportës.
Disa nga fytyrat e ushtarëve duken në fotografitë e postuara në rrjet, djem me sy në formë bajameje, të buzëqeshur para objektivit. Sipas aktivistëve, bazuar në informacionet e siguruara, janë ushtarët e kësaj njësie që kanë kryer “krime tronditëse të luftës në qytetet Bucha, Gostomel dhe Irpen, në rajonin e Kievit”.
Qeveria ukrainase ka nisur një hetim për krime lufte pasi deklaroi se trupat e 410 civilëve u gjetën në zonat përreth Kievit. Disa prej tyre u zbuluan në varre masive, ndërsa një pjesë i kishin duart e lidhura dhe ishin qëlluar nga një distancë e afërt.



