Rikthehet sërish në vëmendje në emisionin “Xhadat” në MCN TV, historia e qytetarit Kadri Demneri, prona e të cilit u përfshi në një projekt të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e trotuarit, ndërsa procedura e shpronësimit nuk kishte përfunduar.
Në pjesën e parë të investigimit, u dokumentua se trotuari ishte ndërtuar mbi pronën private të pajisur me certifikatë pronësie. Bashkia e Tiranës konfirmoi më pas se procedura e shpronësimit nuk kishte përfunduar ende dhe se Demneri ishte pjesë e listës së pronarëve që do të shpronësoheshin.
Në vijim të investigimit nga “Xhadat”, qytetari kundërshtoi edhe sipërfaqen mbi të cilën ishte ndërhyrë.
Në vlerësimin paraprak të përcjellë nga institucionet ishin llogaritur 7.8 metra katrorë, me një vlerë prej 522,358 lekësh. Demneri pretendoi se sipërfaqja reale e zënë nga projekti ishte rreth 13.5 metra katrorë dhe kërkoi rishikimin e matjeve.
Pas ankesës së tij dhe verifikimeve të mëtejshme, tashmë vjen një zhvillim i ri.
Bashkia e Tiranës i ka kthyer përgjigje qytetarit dhe ka pranuar se sipërfaqja e pronës që duhet të merret në konsideratë është 13.5 metra katrorë dhe jo 7.8 metra katrorë.
Ky ndryshim është i rëndësishëm për qytetarin, pasi lidhet drejtpërdrejt me vlerën e dëmshpërblimit që ai pret të marrë për pronën e përdorur nga projekti publik.
Por, për Demnerin, mbetet ende një tjetër pikëpyetje: A është emri i tij në listën përfundimtare të pronarëve që do të marrin dëmshpërblimin dhe kur mund të tërheqë pagesën?
Për të marrë këtë informacion, gazetari Ersid Karaj dhe Kadri Demneri iu drejtuan fillimisht Bashkisë së Tiranës. Nga institucioni u orientuan që për informacionin mbi listën e pagesave t'i drejtoheshin Drejtorisë së Financës pranë Bashkisë.
Por edhe këtu, qytetari nuk mori një përgjigje konkrete.
Në ambientet e Drejtorisë së Financës, gazetari dhe zoti Demneri u përballën me një tjetër pengesë. Një punonjës i sigurisë nuk lejoi hyrjen e qytetarit për të marrë informacion, madje as në mungesë të kamerës dhe gazetarit.
Kadri Demneri kërkoi të dinte vetëm nëse emri i tij ndodhej në listën e pronarëve që do të shpronësoheshin dhe nëse pagesa ishte gati për t'u tërhequr.
Përballë mungesës së një përgjigjeje në terren, “Xhadat” iu drejtua sërish Bashkisë së Tiranës me dy kërkesa zyrtare.
E para kërkon të sqarohet nëse Bashkia e ka pranuar përfundimisht sipërfaqen prej 13.5 m² apo nëse ka ende pretendime apo verifikime të tjera që mund ta ndryshojnë atë.
Kërkesa e dytë i drejtohet Drejtorisë së Financës dhe kërkon të sqarohet nëse Kadri Demneri figuron në listën e pronarëve që do të shpronësohen dhe nëse është përcaktuar pagesa që duhet të marrë.
Kështu, pas disa muajsh investigim, një pjesë e pretendimit të qytetarit është tashmë e qartë: sipërfaqja e marrë në konsideratë është korrigjuar nga 7.8 në 13.5 metra katrorë.
Por pyetja e radhës mbetet ende pa përgjigje: kur do të marrë Kadri Demneri dëmshpërblimin për pronën mbi të cilën është ndërtuar trotuari?
Ky rast është duke u ndjekur në vijim nga “Xhadat”, në MCN TV.



