
Kontrata qeverisëse mes Lega-s dhe Lëvizjes 5 Yjet ka marrë dritën jeshile të anëtarësisë së kësajë të fundit. “42 274 kanë votuar pro dhe 2 522 kundër. Lëvizja 5 Yjet miraton kontratën për qeverinë e ndryshimit”, tha lideri i 5 Yjeve, Luigi Di Maio.
Ish-kryeministri Silvio Berslukoni nuk duket i kënaqur me këtë fakt. Aleati i Lega-s thotë se pavarësisht koalicionit parazgjedhor, nuk është ndier i përfaqësuar.
“Salvini nuk ka folur kurrë në emër të koalicionit të qendrës së djathtë. Ai ka folur gjithnjë në emër të partisë së vet dhe në emrin e vet personal. Koalicioni me një program të përbashkët është absolutisht tjetër gjë dhe nuk ka lidhje me Lëvizjen 5 Yjet. Në këtë moment me Salvinin na ndajnë shumë gjëra”, tha ai.
I çliruar nga dënimi që e ndalonte të merrte detyra publike, ai nuk e ka fshehur ambicien për kryeministër sërish, edhe pse tepër vonë. “Mendoj se detyra e formimit të qeverisë së re i takon qendrës së djathtë. Jemi të sigurt se kemi shumicën në Parlament. Unë ndihem gati dhe besoj se nuk ka tjetër kandidat që mund të krahasohet me mua”.



