Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një komunikimi me ndjekësit në rrjetet sociale se protesta e zhvilluar në Tiranë përfaqësoi një “kryengritje paqësore” në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarëve dhe të ardhmes europiane të vendit.
Ai falënderoi qytetarët që morën pjesë në tubim, duke e cilësuar protestën si një reagim të fortë kundër korrupsionit dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, protesta tregoi se opozita mbetet e vendosur përballë asaj që ai e quajti “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”.
Prania juaj dje në bulevardin e Tiranës ishte prozhektori i madh i shpresës për të gjithë shqiptarët që ende nuk guxojnë të dalin nga emocionet e frikës.
Ai akuzoi qeverinë dhe zyrtarë të lartë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Berisha deklaroi se opozita do të vazhdojë protestat deri në “largimin përfundimtar të kësaj të keqe të madhe”, ndërsa shtoi se qytetarët nuk do t’ia falin qeverisë vjedhjet e tmerrshme që, sipas tij, janë kryer ndër vite.
Ai komentoi edhe raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një “radiografi reale të situatës në vend”.
Sipas Berishës, raporti është hartuar pas verifikimeve të një misioni faktmbledhës të dërguar në Shqipëri nga institucionet europiane dhe evidenton problematika serioze që lidhen me qeverisjen, korrupsionin dhe standardet demokratike.
Ky raport është një mbështetje e fuqishme për popullin shqiptar, për qytetarët shqiptarë dhe opozitën shqiptare në rrugën e integrimit.
Berisha tha se rruga e protestës paqësore nuk është e shpejtë, por sipas tij mbetet rruga më e sigurt për ndryshimin politik në vend. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga “mediat e kontrolluara”, por të ndjekin reagimet e mediave ndërkombëtare për zhvillimet politike në Shqipëri.
Në përfundim të mesazhit të tij, kreu demokrat ritheksoi bindjen se opozita do të vazhdojë përballjen politike dhe qytetare me qeverinë, duke e lidhur këtë betejë me aspiratën e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian.



